Të hiqen simbolet e komunizmit
Mozaiku i Muzeut Kombëtar e zhvendos problemin tek simbolet e komunizmit. Drejtoresha e arkivit të shtetit, Nevila Nika, deklaron që duhen hequr simbolet dhe gjurmët që na kujtojnë diktaturën
Po bëhet i njëzëshëm opinioni i specializuar ndaj idesë për heqjen e mozaikut mural të Muzeut Historik Kombëtar. Historianë, studiues dhe teknicienë që flasin në këtë shkrim janë kundër prekjes së mozaikut i vendosur aty në vitin 1981. Qëndrimi i tyre rrok dy aspekte të çështjes: historik dhe moral për vepra publike të ngritura në periudhën e diktaturës komuniste. Askush nga folësit në debat nuk i hyn vetiu diskutimit estetik, pasi problemi është tjetërkund. Edhe drejtori i muzeut, Beqir Meta, "ka shumë që e kanë quajtur mediokër", tha ai, e futi këtë argument "estetik" në kutinë e të zezave të veprës së quajtur "Shqipëria" krahas ideologjisë dhe partishmërisë.
"Artistikisht më duket shumë i bukur", thotë drejtoresha e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, prof. asoc. dr. Nevila Nika e cila, edhe pse është një nga shtatë anëtarët e këshillit shkencor të Muzeut Historik Kombëtar, nuk kishte dijeni për këtë deklaratë të drejtorit Meta. "Në vitin '92- '93 i është hequr ylli, ndërhyrje që më duket normale, por deri këtu. Sipas kësaj logjike, nëse duhet hequr mozaiku atëherë i bie të hiqet edhe bazorelivi i kryeministrisë". Historiania na kujton se nuk ka arsye t'i vijë radha një vepre si mozaiku kur në radhë të parë janë gjurmët që të kujtojnë diktaturën e Hoxhës ato që duhen hequr. "Kemi sot e kësaj dite emra rrugësh, shkollash që të kujtojnë diktaturën. Në Tiranën e Re një rrugë mban emrin "Ndreko Rino", partizan që më pas u bë gjeneral nga E. Hoxha. I kuptoj emërtimet me emrin e Mujo Ulqinakut, por me Bardhok Bibën, jo s'i kuptoj."
Shembulli që na jep drejtoresha e arkivit na kujton aksionin politik që finalizoi vitin e shkuar qeveria spanjolle e Zapateros duke zgjidhur me ligj raportet delikate me kujtesën historike. Ligji detyronte heqjen e çdo gjurme të frankizmit nga rrugët, monumentet, kishat dhe ndërtesat publike të Spanjës, heqjen e çdo emri apo simboli që lidhet me dyzet vitet e diktaturës së Francisko Frankos, me grushtin ushtarak, luftën civile dhe represionin. Qysh kur erdhi në pushtet kryeministri aktual Zapatero i kish quajtur jo të ligjshme dhe të padrejta këto simbole. Ligji pati kundërshti por në tërësi politika dhe qytetaria spanjolle treguan se vetëm një qëndrim i tillë unanim mund të mbahet ndaj diktaturave. Kështu ka pak muaj që 18 korriku (datë kur nisi lufta civile) njihet si "Dita e Kujtesës" për të dënuar frankizmin.
Iris Pojani, drejtoresha e Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, na tha dje se nuk ka dijeni për këtë çështje dhe se "nga ana e drejtorit të Muzeut Kombëtar nuk na ka ardhur ndonjë pretendim për heqjen e mozaikut. Megjithatë, për çështje të tilla është e pamundur të vendosë një njeri i vetëm. Edhe nëse do të merret në shqyrtim, atëherë duhet diskutuar me specialistët e fushës dhe në komisione të caktuara. Dhe për mendimin tim, ai mozaik është një simbol dhe duhet të mbetet i paprekur. MTKRS, ka të tjera projekte më të rëndësishme për të cilat po punon."
As Institutiti i Monumenteve të Kulturës dhe drejtuesi i tij Lorenc Bejko nuk e ka ndjekur median këto ditë. I informuar dje na pohoi se IMK do të ketë ç'të thotë për mozaikun "Shqipëria" atëherë kur t'ua kërkojnë një mendim për anën teknike të çështjes, nëse do duhej një ditë që vepra të zhvendosej.
Ajo që bën përshtypje në këtë histori është që drejtori i MHK që ka tërhequr pas në debat jo pak intelektualë, nuk ka vënë në dijeni ndonjë institucion epror si Ministria e Kulturës apo këshillimor e shkencor siç është këshilli i tij shkencor që përbëhet nga historianë e specialistë. Asnjë raport ku të shtrohet kërkesa dhe ideja e drejtorit nuk është depozituar dhe as diskutuar gjëkundi në hallkat zyrtare. Atëherë ka folur Beqir Meta apo drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Beqir Meta, ka folur shteti apo një njeri që bën pazare në dyert e shtetit!
Neritan Ceka: "E papranueshme!"
"Mozaiku në ballë të Muzeut Historik Kombëtar nuk mund të zhvendoset. Nuk është çështja tek problemet teknike që paraqet heqja e tij, nëse shkatërrohet, apo jo. Mozaiku është pjesë e arkitekturës dhe si e tillë duhet të qëndrojë aty. Pas heqjes së yllit, për të mos u identifikuar me një qëndrim të caktuar politik, ai mozaik është një vepër normale e artistëve shqiptarë, të cilën ne duhet ta ruajmë ashtu siç është. Për më tepër, nuk bëhet fjalë as për një vepër arti provokative apo komuniste. Pavarësisht se ka një pushkë edhe një kazmë, brezat që do të vijnë do të mësohen edhe me to. Koncepti i heqjes është tërësisht i papranueshëm. Në fund të fundit, kjo është historia jonë. Nëse ecim me këtë mendësi, atëherë do të ndodhë që gjatë qeverisjes së demokratëve të vendosim në vend të mozaikut një vepër tjetër, e cila mund të hiqet nga krahët e tjerë politikë, që mund të vijnë në pushtet e kështu me radhë. Ndryshimet e gjurmëve të sistemeve të ndryshme, duhet të quhen kapitull i mbyllur. Nuk besoj se ideja për të hequr mozaikun është politike, megjithatë duhet të futemi në logjikën evropiane. Sipas logjikës që ndiqet këtu, atëherë në Francë duhet të ishte prishur varri i Napoleonit, kur në fuqi erdhën burbonët, në vitin 1830, apo marrim rastin e Italisë, ku nuk u prish asnjë monumet i kohës së Musolinit. As ne nuk duhet të ndryshojmë asgjë. Ne nuk kemi prishur bazorelievet e kohës së fashizmit. I gjejmë edhe sot tek godina e Maternitetit, apo tek Banka e Shqipërisë… Tashmë mozaiku është pjesë e traditës dhe nuk ka ligje për të rregulluar mënyrën se si një popull do të trajtojë kujtesën historike."
Zoti president, mos e dekretoni atë ligj
Mbi 100 intelektualë i janë drejtuar dje presidentit të Republikës Bamir Topi për të mos dekretuar "ligje që tatojnë leximin dhe rivendosin barrierat e kulturës me Kosovën dhe shqiptarët e tjerë në rajon". Njerëzit e librit shqipkërkojnë pak më shumë mirëkuptim të paktën nga kreu i shtetit për një ligj të miratuar nga parlamenti që rivendos TVSH në masën 20% mbi librat dhe botimet e çdo lloji që vijnë nga jashtë kufijve të Shqipërisë, domethënë edhe librat e botimet që vijnë nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, krijuesit në diasporë dhe emigracion. "Vendimi për rivendosjen e kësaj takse, që bëhet në emër të mbrojtjes së prodhimit vendas të industrisë poligrafike, por që në të vërtetë është bërë për të mbrojtur gjoja interesat e pronarëve të disa shtypshkronjave dhe të atyre që qëndrojnë pas tyre, është sa i nxituar, i pakonsultuar me të gjitha grupet e interesit dhe komisionet përkatëse parlamentare, aq edhe i dëmshëm për përhapjen sa më gjerë të dijes e kulturës nëpërmjet leximit, ngritjen e shijeve estetike të lexuesve shqiptarë, duke filluar që nga nxënësit e shkollave të të gjitha niveleve dhe grupet e tjera sociale të shoqërisë sociale... Ne e konsiderojmë shumë të dëmshëm këtë ligj sepse po na rikthehen barrierat në komunikimin me bashkëkombësit tanë në Rajon, ku jetojnë, mësojnë e punojnë shqiptarët prej shekujsh. Kjo bie ndesh edhe me politikat e qeverisë shqiptare dhe të gjitha forcave politike për rritjen dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndër shqiptarët kudo që janë", thuhet në letrën drejtuar presidentit Topi. Mes të tjerash në këtë letër protestë presidenti informohet se me këtë ligj Shqipëria mbetet i vetmi vend në Evropë "e mbase në të gjithë botën, me taksën mbi vlerën e shtuar (TVSH) më të lartë, kur pjesa më e madhe e tyre e kanë zero ose të diferencuar në masën 4 – 6 %, në krahasim me mallrat e tjera."
Ligji në fjalë u miratua në parlament në ditët e fundit të vitit 2007, krejt papritur pa dijeninë e grupeve të interesit, madje dhe u diskutuar nga vetë deputetë të pozitës.