Përcaktohen rregullat për shfrytëzimin e strukturave akomoduese për qëllime tatimore

TIRANË, 12 mars/ATSH/ Këshilli i Ministrave vendosi përcaktimin e rregullave për shfrytëzimin e strukturave akomoduese dhe të nivelit minimal të kapacitetit të shfrytëzimit të tyre, në funksion të deklarimit për qëllime tatimore, gjatë vitit kalendarik.
Sipas vendimit, procedurës së deklarimit të kapacitetit të strukturave akomoduese dhe nivelit të shfrytëzimit të tyre u nënshtrohen strukturat akomoduese në kategoritë e mëposhtme:“Bujtinë”;“Bllok apartamentesh”; “Motel”; “Fjetje dhe mëngjes”; “Hotel”; “Hotel i shpërndarë”; “Resort”; “Strukturë akomoduese e trashëgimisë kulturore”.
Periudhë e shfrytëzimit është periudha e ndarë në dy periudha sezonale, përkatësisht, nga data 1 maj deri në datën 30 shtator dhe nga data 1 tetor deri në datën 30 prill të çdo viti. Në përllogaritjet, për efekt të kapacitetit të shfrytëzimit, ditët që merren në konsideratë janë ditët kalendarike gjatë kësaj periudhe.
Niveli i shfrytëzimit të strukturave akomoduese bazohet në të dhënat e deklaruara nga sipërmarrësi i strukturës akomoduese për shfrytëzimin e kapacitetit të saj. Ky nivel llogaritet duke marrë në konsideratë numrin e përgjithshëm të dhomave të shfrytëzuara përgjatë periudhës së shfrytëzimit në raport me kapacitetin e plotë të strukturës akomoduese gjatë kësaj periudhe. Mënyra e llogaritjes së kapacitetit dhe niveli i shfrytëzimit të një strukture akomoduese paraqiten në mënyrë të detajuar në aneksin 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Në vendim thuhet se niveli minimal i shfrytëzimit të strukturës akomoduese është; jo më pak se 65 % e kapacitetit të strukturës akomoduese për periudhën nga data 1 maj deri në datën 30 shtator; jo më pak se 30 % e kapacitetit të strukturës akomoduese për periudhën nga data 1 tetor deri në datën 30 prill.
Kjo vlerë llogaritet si mesatare e nivelit minimal të shfrytëzimit përgjatë periudhës së shfrytëzimit.
Në rastet kur ka ndryshime të kapacitetit të strukturës akomoduese, sipërmarrësi ka detyrimin të deklarojë ndryshimet e kapacitetit të strukturës akomoduese, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve kalendarike nga data e ndryshimit të kapacitetit të strukturës.
Ministria përgjegjëse për turizmin, brenda muajit shkurt të çdo viti, u dërgon Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe njësisë së qeverisjes vendore, që administron territorin ku ndodhet struktura akomoduese, të dhënat e deklaruara nga sipërmarrësi, sipas parashikimeve të pikës 10, të këtij vendimi.
Në rast të ndryshimit nga ana e sipërmarrësit të kapacitetit të strukturës akomoduese, ministria përgjegjëse për turizmin, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga marrja e njoftimit, ua dërgon Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe njësisë së qeverisjes vendore, që administron territorin ku ndodhet struktura akomoduese, të dhënat e deklaruara nga sipërmarrësi.
Përjashtimisht, për vitin 2025, deklarimi i sipërmarrësit pranë ministrisë përgjegjëse për turizmin bëhet brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga momenti i hyrjes në fuqi të këtij vendimi dhe ministria përgjegjëse për turizmin u dërgon Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe njësisë së qeverisjes vendore, që administron territorin ku ndodhet struktura akomoduese, të dhënat e deklaruara nga sipërmarrësi brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga përfundimi i afatit të deklarimit nga sipërmarrësi.
Për zbatimin e vendimit ngarkohen ministria përgjegjëse për turizmin, ministria përgjegjëse për financat, administrata tatimore dhe sipërmarrësit e strukturave akomoduese për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
/k.s//a.f/