Përcillen në atdhe kosovarët e plagosur
22/10/2004 Largohen nga Shqipëria të gjithë të plagosurit e aksidentit të Urës së Bicajve. Paraditen e djeshme, të lënduarit kanë marrë avionin e linjës Tiranë-Prishtinë për të mbërritur në atdhe. Mësohet se është proceduar kësisoj pas kërkesës së bërë nga familjarët e të rinjve dhe mbështetur nga Ministria e Shëndetësisë së Kosovës. Transferimi është motivuar me problemet financiare që kanë familjet e nxënësve për të përballuar ecejaket për në Tiranë, për t'u kujdesur për të lënduarit. Një spital vendas do të evitonte këto. Sakaq, pala shqiptare nuk e ka pritur mirë largimin e parakohshëm të gjimnazistëve kosovarë. Burime të rezervuara nga Ministria e Mbrojtjes thanë për gazetën "Metropol" se, për opinionin ndërkombëtar transferimi i të plagosurve nga një spital shqiptar në një të Kosovës interpretohet keq. Ngjet kështu për vetë faktin se deri dje ishte vendosur që të rinjtë nga Malisheva ta linin Tiranën vetëm pasi të shëroheshin plotësisht. Largimi i së premtes paradite lë hapësirë të mjaftueshme për të dyshuar në një neglizhencë të bluzave të bardha të Spitalit Ushtarak. Në të vërtetë nuk ka ngjarë kësisoj, pasi që tashmë njihet përkushtimi i mjekëve specialistë në SQUT në përballimin e fluksit të të lënduarve të tragjedisë automobilistike të Fushë-Arrëzit.