Mulosmani, në pritje të ligjit të ri për krimet e rënda
22/10/2004 TIRANË – Dosja me emrin e Jaho Mulosmanit, dënuar me burgim të përjetshëm, akuzuar për dy vrasje në Tropojë, është në pritje të datës 3 nëntor. Në këtë datë mendohet që Kuvendi të votojë për kalimin e disa veprave penale nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Prokurorinë e Tiranës. Ngarkesa e madhe që kanë krimet e rënda bëri që të rishikohen edhe një herë nenet, të cilat do përfshihen në këtë kategori. Po kështu është folur që disa nga veprat që nuk paraqesin rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe nuk klasifikohen si krime të rënda, të kalojnë në Prokurorinë e rrethit. Pikërisht ky ligj ka mbajtur deri tani avokatin Vladimir Meçe, që mbron interesat e të pandehurit Jaho Mulosmani. Dosja me emrin e Jahos ndodhet në Gjykatën e Krimeve të Rënda dhe pas miratimit të këtij ligji shtesë në Kuvend, nga ana e avokatit mendohet të kalojë në shkallën e parë të gjykimit, atje ku ishte para janarit. Para se të krijohej Gjykata e Krimeve të Rënda, Jaho Mulosmani erdhi për gjykim në Shkallën e Parë. Gjyqtari Artur Gaxhi e dërgoi çështjen për kompetencë në Gjykatën e Lartë. Kjo e fundit i dha të drejtën për gjykim Krimeve të Rënda. Por është përsëri avokati Vladimir Meçe, ai që kërkon të dërgojë dosjen për caktim kompetence në Gjykatën e Lartë. Avokati i Jaho Mulosmanit, Vladimir Meçe, pasi ka marrë leje për përfaqësim me prokurë të posaçme nga klienti i tij, kërkoi nga Krimet e Rënda të dërgojë për zgjidhje çështjen në Gjykatën e Lartë. Ndërsa vetë Jaho Mulosmani është shprehur nëpërmjet avokatit, se nuk do të paraqitet asnjëherë në seancë gjyqësore. Jaho Mulosmani, akuzohet se në vitin 1999, me armën që qëlloi mbi Azem Hajdarin, ka qëlluar edhe mbi dy qytetarë të Tropojës. Isuf Bashkurti dhe Bislim Hyka, janë vrarë më 4 gusht të vitit 1999 në qendër të Tropojës.