E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ledio Ruçi, asnjë dëshmitar i akuzës në gjykatë

22/10/2004  TIRANË – Seanca e dytë gjyqësore kundër djalit të Gramoz Ruçi, nuk ka vazhduar shumë gjatë. Dëshmitarët e shënuar në listën e prokurorit për t'u thirrur para gjykatës, nuk denjuan të paraqiten. Hetimet gjyqësore me kërkesë të prokurorit të çështjes, do të vazhdojnë me pyetjen e dëshmitarëve për të përfunduar me paraqitjen e provave shkresore. Por me sa duket asnjë prej dëshmitarëve nuk e ka parë të arsyeshme të paraqitet në gjyq dhe të tregojë me hollësi të gjithë historinë. Në listën e dëshmitarëve janë emrat e personave të dëmtuar. Ndërkohë që edhe vetë Ledio Ruçi, pretendon se është një prej të dëmtuarve, por i marrë në përgjegjësi penale. Deri tani gjykata ka bërë të mundur vetëm hapjen e procesit gjyqësor. Akuza, edhe pse ka njoftuar familjet e dëshmitarëve, shprehet se një pjesë e tyre nuk dihet ku janë. Para gjykatës do të thirret për të dhënë dëshminë e saj edhe vajza, që natën e ngjarjes ka qenë e shoqëruar me Ledio Ruçin dhe më pas u bë objekt i sherrit. Një dëshmi vajza e ka dhënë para hetuesve, tashmë do të dëgjohet në gjykatë, ku prova merret direkt. Avokati Ali Meta tha dje se, dëshmitarët e akuzës nuk u paraqitën në gjyq dhe kjo do të jetë shkak për zvarritjen e procesit. Ndërsa shtoi se klienti i tij nuk do të marrë pjesë në asnjë nga seancat gjyqësore, pasi ka dhënë një prokurë të posaçme, të firmosur dhe të noterizuar. Më pas, avokati Meta shprehet se, nuk e di ku ndodhet klienti që mbron në gjyq dhe nuk e di me se merret. Grindje banale. Kështu e ka klasifikuar fillimin e sherrit midis Ledio Ruçit dhe disa djemve të tjerë që mbetën të dëmtuar organi i Prokurorisë. Ledio Ruçi, në datë 2 shkurt, qëlloi me armë mbi Artur Cekën. Ndonëse arma me të cilën u qëllua i dëmtuari nuk është gjetur, akuza ekziston në dosje. Nga ana e avokatit bëhet e ditur se, Ledio Ruçi, përveçse është i akuzuar është edhe i dëmtuar. Kjo gjë ka lehtësuar disi pozicionin e tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›