E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përcillet në banesën e fundit ish-presidenti Ramiz Alia

Ish-presidenti i parë pluralist pas viteve 90, Ramiz Alia është përcjellë sot për në banesën e fundit ndërsa homazhet për nder të tij janë zhvilluar për 1 orë në Shtëpinë Qëndrore të Ushtrisë.

Edhe pse për ish-presidentin e Shqipërisë protokolli i shtetit ka zhvilluar një ceremoni zyrtare, Ramiz Alisë i është dhënë lamtumira e fundit pa të shtëna armësh dhe pa bandë nderi e truprojë.

Homazhe për nder të ish-presidentit Ramiz Alia kanë zhvilluar ish-kryeministri i Shqipërisë Fatos Nano, kreu i LSI-së Ilir Meta, kreu i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi, një prej figurave historike të PS-së, Sërvet Pëllumbi, deputeti Namik Dokle, politikani Pëllumb Xhufi.

Në fjalën e tij ish-kryeministri Nano vlerësoi ish-presidentin Alia për kontributin për etapat e rëndësishme deri në institucionalizimin e demokracisë.

Besoj se është në respekt të një epoke historike, e cila ka pasur protagonistët e saj. Shpreh respektin për kontributin që ka dhënë në luftën antifashiste. Në rastin e homazheve duhet të shpreh vlerësimin tim për figurën e Alisë që ka dhënë në etapa të rëndësishme të historisë kombëtare, deri në institucionalizimin e pluralizmit politik. theksoi Nano.

Ndërsa kreu i LSI-së Ilir Meta duke vlerësuar figurën e Alisë në luftën antifashiste theksoi se ai ishte presidenti i parë i Shqipërisë pluraliste që dha dorëheqjen pas humbjes së partisë së tij në zgjedhje.

Mendoj se nderimin më të mirë për çdo figurë politike e bën historia. Dua të vlerësoj figurën e zotit Alia si një figurë e shquar e luftës antifashiste, dhe për përpjekjet e tij për mirëkuptuar aq sa mundej pluralizmin politik. Në fund të fundit është presidenti i parë i Shqipërisë pluraliste, i pari personalitet politik që jep dorëheqjen pasi partia e tij humb zgjedhjet” ka theksuar Meta.

Ndërkohë asnjë përfaqësues i lartë i shtetit nuk ka zhvilluar homazhe për nder të ish-liderit të fundit komunist, qoftë edhe për kortezi.

Ramiz Alia u trajtua ne  nivelin e dytë të  ceremoni zyrtare. Në këtë rast ceremonia e homazheve organizohet me lejen e familjes dhe hapet edhe një libër ngushëllimesh. Në orën e caktuar, kortezhi i përmortshëm niset drejt varrezave i ekskortuar vetëm nga patrulla policore. Kjo ceremoni nuk përmban bandë, truprojë nderi dhe të shtëna me armë.
Ish-udhëheqësi i fundit komunist, Ramiz Alia u shua në moshën 86-vjeçare, mëngjesin e datës 7 tetor, si pasojë e disa sëmundjeve kronike. Vonesat për varrimin e Ramiz Alisë u kushtëzuan nga ardhja e dy fëmijëve të tij që jetojnë jashtë shtetit.

Presidenti i parë shqiptar i shtetit pluralist Alia ndërroi jetë rreth orës 07:00 të ditës së premte në spitalin e Senatoriumit në kryeqytet pasi ka pësuar trombozë ndërsa vuante prej kohësh nga trenboembolia pulmonare dhe për këtë arsye ai ndodhej në spital prej 4 ditësh.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›