E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përcillet në banesën e fundit mjeku Beniamin Çetta, “qytetar nderi” i Durrësit

Qindra qytetarë durrsakë përcollën dje me nderime në banesën e fundit mjekun e njohur kardiolog, Beniamin Çeta, që vdiq të martën në moshën 72-vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë. Homazhet në nderim të Çettës u bënë në hollin e pallatit të kulturës "Aleksandër Moisiu" të qytetit të Durrësit, ku nderuan drejtues të pushtetit vendor, deputetë e politikanë, mjekë, artistë e sportistë dhe bashkëqytetarë të shumtë. Dr. Beniamin Çeta në 5 dekadat e punës hyri si mjek në gjithë shtëpitë e durrsakëve, duke fituar admirimin e bashkëqytetarëve për punën e përkushtuar dhe duke pranuar si shpërblim të vetëm, respektin e pamatë të tyre. Ai gëzon respektin e kolegëve mjekë, që vlerësojnë bagazhin shkencor dhe aftësitë e tij deri në çastet e fundit të jetës. 

Dr.Beniamin Çetta lindi më 21.03.1937 në Tiranë, ku i jati, Lazër Çeta punonte si nëpunës, që qeveria franceze e kishte dekoruar me titullin e lartë të Legjionit të Nderit. I vëllai i Dr. Beniamin Çettës, Prof. Anton Çetta është personaliteti i njohur i viteve 1980 si nismëtar i pajtimit të gjaqeve në Kosovë. Beniamin Çetta kreu shkollën fillore e të mesme në Durrës dhe në periudhën 1954-1959 studjoi në degën e mjekësisë së Universitetit të Tiranës. Në vitin 1960 u specializua për kardiologji dhe pasi punhoi për 1 vit si mjek në Rrogozhinë, në periudhën 1960-1981 punoi si mjek Durrës, ku si i vetmi kardiolog i asaj kohe, përballoi një volum shumë të madh pune jo vetëm në poliklinikë, por dhe në banesë. 

Në vitin 1981 u arrestua dhe u dënua me 10 vjet heqje lirie, sipas nenit famëkeq 55 "Per agjitacion e propagandë" ku dënimin e kreu në burgjet e Bulqizës, Qafë-Barit dhe Zejmenit. Pasi u lirua nga burgu në 1986, punoi si mjek i përgjithshëm në fshatin Lekaj, ndërsa në vitet 90-92 punon si kardiolog në poliklinikën e qytetit të Durrësit. Në vitin 1992 del në pension, por megjithatë vazhdoi të vizitojë dhe të ndjekë ecurinë e dhjetra pacientëve që kishin besim në njohuritë dhe përkushtimin e tij. Përveç punës së përditshme si mjek, Dr. Beniamin Çetta është aktivizuar në shoqatën humanitare Caritas dhe komunitetin e personave me probleme të drogës, Emanuel. 

Në tetor 2008 Dr. Beniamin Çetta u shpall "Qytetar nderi" i Durrësit, me motivacion "Për merita të veçanta në shërbim të komunitetit dhe kontributin e dhënë në fushën e kardiologjisë". Dr. Beniamin Çeta gjatë gjithë jetës u shqua për humanizmin dhe sakrificat e jashtëzakonshme në shërbim të pacientëve dhe qytetarëve jo vetëm të Durrësit, por nga i gjithë vendi. Megjithëse pas vdekjes së nënës së tij jetoi thuajse vetëm, dr. B. Çetta ishte një nga figurat më të dashura të qytetit të Durrësit, që e përcolli sot si bir të shtrenjtë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›