E Diel, 1 Nëntor 2026

KLD-ja formalizon shkeljen e ligjit, voton Artan Zenelin kryetar të gjykatës së Tiranës. Akuzon Ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj

Procesi i përzgjedhjes së kryetarit të Gjykatës së Tiranës, rasti më flagrant i kapjes së Këshillit të Lartë të Drejtësisë

Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka formalizuar dje emërimin më të paprecedentë të një kryetari gjykate. Dhe ëpr ironi të kësaj, në thyerje të ligjit KLD-ja shembullin e keq të radhës e dha me emërimin e kryetarit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës. 

Ndërsa në vigjilje të ditës përkujtimore të 1-vjetorit të rrëzimit të kandidaturës së Artan Zenelit (krahas kandidaturave të Zamir Poda, Mehdi Bici, Altina Xhoxhaj, Kristaq Traja) nga Parlamenti për anëtarë të Gjykatës së Lartë, Presidenti i bëri “dhuratën” e radhës këtij, dekretimin e kthimit në trupën gjyqësore të Shkallës së Parë të Tiranës, jo më larg se një muaj pas kësaj “dhurate”, këtë herë jo vetëm Presidenti, njëherazi edhe Kryetari i KLD-ës, por pjesa dërrmuese e anëtarëve të saj (KLD-ës), “i hoqën pengun” e një viti më par, duke votuar këtë herë Artan Zenelin për kryetar të Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, kur atij i duheshin të paktën edhe 3 vjet e më se 11 muaj, që në përmbushje të nenit 16 të ligjit Nr. 9877, datë 18. 02. 2008, “Për organizmin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”. 

¬Ironia në këtë vendimmarrje në kundërshtim me ligjin shkonte më tej edhe për sa i përket faktin se dje, KLD-ja vetë, në përfundim të këtij votimi, i justifikoi shkeljet e procedurave deri në mbërritjen te ky votim farsë, me “vlerësimin e transparencës” se, Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë Bamir Topi, kishte votuar për kandidatin Kastriot Selita dhe se Zëvendëskryetari Kreshnik Spahiu, kishte votuar për kandidaten Manjola Bejleri. I njëjti njoftim i KLD-ës, në justifikim të mosdhënies së arsyeve për shkeljet e rënda të ligjit, bënte të ditur gjithashtu (pa i interesuar askujt) se anëtari Neshat Fana dhe një anëtar tjetër i KLD-së (emri nuk i bëhet i ditur për arsye hetimi do thoshte policia në një njoftim të ngjashëm), votuan për kandidatin Petrit Çomo. 

Reagimi i ministrit Enkelejd Alibeaj

“Procesi i përzgjedhjes së kryetarit të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë  ishte një proces tërësisht fals, jo transparent dhe i paramenduar. Ky është rasti më flagrant i kapjes së Këshillit të Lartë të Drejtësisë”.

Kështu e ka përkufizuar dje Enkelejd Alibeaj, Ministri i Drejtësisë, mbledhjen e radhës së KLD-ës.

Duke dalë para gazetarëve në një konferencë për shtyp, Alibeaj bëri të ditur se fillimet e shkeljeve të ligjit dhe standardeve, u vërejtën që nga ndalimi i mediave për të ndjekur procesin e votimit për Kryetarin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, sikurse ishte vepruar herët e mëparshme me votimet për kryetarët e gjykatave të tjera.

Më pas, Alibeja është ndalur në denoncimin e procesit fals.

“Kandidatura e cila u përzgjodh si kryetar i Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, është emëruar si gjyqtar jo më pak se një javë më parë. Jo vetëm kaq por procesi i përzgjedhjes ishte tërësisht në thyerje të ligjit. Ligji ‘Për Organizimit dhe Funksionimin e Pushtetit Gjyqësor’, kërkon së paku që gjyqtari, i cili  do të kandidojë dhe që do të përzgjidhet duhet të jetë anëtar i kësaj gjykate dhe i kësaj trupe gjyqësore jo më pak se 4 vjet”, sqaroi Ministri Alibeaj.

Përpos kësaj, Alibeaj shpjegoi më tej se, kandidaturat në këtë garë, duhet të kishin marrë më parë vlerësime nga KLD-ja, gjë që nuk ka ndodhur.

“Do të duhet që të gjitha kandidaturat të kishin vlerësimin nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, vlerësim profesional, shumë mirë  madje, me ‘notën shumë mirë’, për dy herë. 

Për asnjërën  nga kandidaturat nuk kishte një vlerësim të tillë kjo në thyerje tërësisht të ligjit”, vijoi më tej Alibeaj. 

Duke komentuar procesin, Ministri i Drejtësisë, e quajti atë si të paramenduar, dhe si një rast flagrant të kapjes së KLD-ës.

“Ky ishte një proces i paramenduar dhe ky është rasti më flagrant i kapjes së Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Është rasti më flagrant dhe mesazhi më i keq që i çohet sistemit gjyqësor. Mesazhi më i keq që i çohet zbatimit të reformave ligjore, të reformave të sistemit gjyqësor. Është rasti më energjik i nëpërkëmbjes së ligjit,  i nëpërkëmbjes së shtetit. Është rasti i cili  ka caktuar sot njollën më të errët të sistemit gjyqësor dhe të institucioneve të tij”, deklaroi Ministri i Drejtësisë. 

Duke ju përgjigjur më pas interesimit të gazetarëve, për “lëvizjen e radhës”, Alibeaj shpjegoi se zgjidhja e vetme është, “denoncimi i rastit në ato institucionet të cilat do të duhet të zbatojnë ligjin. Ata që kanë votuar për të thyer ligjin, ata do të mbajnë përgjegjësi”, përfundoi Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. 

(Mos)justifikimi i KLD-së

Pas votimit të djeshëm, ka reaguar edhe KLD-ja, nëpërmjet një njoftimi zyrtar.

Pa dhënë asnjë përgjigje për akuzat e Ministrit të Drejtësisë, për shkeljen e ligjit, procedurave dhe standardeve, KLD-ja nuk ka bërë asgjë më shumë të ditur justifikimet nëpërmjet zbulimit të votave “kundër” për Artan Zenelin, përpos njoftimit që gjithsesi ky ishte zgjedhur Kryetar i Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës.

“Këshilli me shumicë të votave, vendosi emërimin e Zotit Artan Zeneli, në pozicionin e kryetarit të gjykatës së shkallës së parë të kryeqytetit. Në vlerësim të transparencës gjatë procesit të vendimmarrjes, Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë SH. T. Z. Bamir Topi deklaroi se vota e tij shkoi në favor të kandidatit Kastriot Selita - aktualisht Kryetar i Gjykatës së rrethit gjyqësor Dibër. Rezultatet e votimit në favor të kandidatit Zeneli, përjashtuan edhe Zëvendëskryetarin e  Këshillit të Lartë të Drejtësisë Z. Kreshnik Spahiu, i cili votoi në favor të kandidates Manjola Bejleri, si dhe anëtarin Neshat Fana e një anëtar tjetër të KLD-së, të cilët votuan në favor të kandidatit Petrit Çomo”, shpjegonte zyrtarisht KLD-ja, (mos)justifikimin e vet për shkeljen e ligjit, procedurave dhe standardeve në mbledhjen e saj të djeshme. 

Më tej, nëpërmjet të njëjtit njoftim, KLD-ja na jepte edhe “sihariqin” se, “Ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj, nuk votoi për asnjë kandidat pasi mbajti qëndrimin se nuk janë plotësuar të gjitha kriteret ligjore për emërimin e kryetarit të gjykatës”. 

Për turpin e vet, KLD-ja vijonte dje në mënyrën më tallëse, sërish me veten e vet, t’i bënte “reklamë” Artan Zenelit, duke u katandisur në nivelin e një agjencie publicitare.

Në (mos)justifikim të shkeljeve të ligjit, procedurave dhe standardeve, KLD-ja na bënte të ditur se, “Artan Zeneli, u riemërua në detyrën e gjyqtarit të gjykatës së rrethit gjyqësor Tiranë me propozim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe dekret Nr. 6207, Datë 12.06.2009 të Presidentit të Republikës. Gjyqtari Zeneli ripërfshihet në sistemin gjyqësor pas një periudhe shkëputje prej ushtrimit të detyrës së gjyqtarit, detyrë të cilën ai e ka ushtruar  për 8 (tetë) vjet pranë gjykatave të rretheve gjyqësore Krujë dhe Tiranë; duke sqaruar se në gjykatën e kryeqytetit, ai ka ushtruar edhe funksionin e zëvendëskryetarit për periudhën 1993 – 1995”. 

VENDIM

Nr. 187, datë 16. 06. 2008

PËR MOSDHËNIEN E PËLQIMIT PËR EMËRIMIN E ZOTIT ARTAN ZENELI ANËTAR I GJYKATËS SË LARTË

Në mbështetje të nenit 78 dhe 136 pika 1 të Kushtetutës, si dhe të nenit 111 pika 6 të Rregullores së Kuvendit, bazuar në dekretin e Presidentit të Republikës nr. 5721, datë 12.5 2008, 

KUVENDI

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

I. Mosdhënien e pëlqimit  për emërimin e zotit Artan Zeneli anëtar i Gjykatës së Lartë.

II. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.               

KRYETARE

Jozefina Topalli (Çoba)

D E K R E T 

PËR EMËRIM GJYQTARI

Në mbështetje të neneve 93 dhe 136, pika 4 të Kushtetutës si dhe të nenit 12, të ligjit nr. 9877, datë 18.02.2008, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, 

D E K R E T O J

Neni 1

Z. Artan Zeneli emërohet gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Tiranë.

Neni 2

Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.

Nr. dekretit 6207

Tiranë, më 12 Qershor 2009

PRESIDENTI I REPUBLIKËS

BAMIR TOPI

LIGJ 

Nr. 9877, datë 18. 02. 2008 

PËR ORGANIZIMIN E PUSHTETIT GJYQËSOR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË 

Në mbështetje të neneve 81 pika 2 shkronja “a” dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, 

KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË 

VENDOSI: 

KREU III 

KRITERET E REKRUTIMIT DHE TË KARRIERËS SË GJYQTARËVE 

TË SHKALLËS SË PARË DHE TË APELIT 

Neni 16 

Kushtet dhe emërimi i kryetarit të gjykatës 

1. Kryetari i gjykatës së shkallës së parë dhe kryetari i gjykatës së apelit emërohen nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në bazë të konkurrimit. 

2. Kandidatët për kryetar të gjykatës së shkallës së parë dhe për kryetar të gjykatës së apelit duhet të plotësojnë këto kritere: 

a) të kenë punuar jo më pak se katër vjet si gjyqtarë në gjykatat e të njëjtit nivel ose të niveleve më të larta; 

b) të jenë vlerësuar “Shumë mirë” nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë dy herët e fundit; 

c) të mos kenë masë disiplinore në fuqi; 

ç) të kenë aftësi organizuese dhe menaxhuese; 

d) të mos jenë anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›