Presidenti Topi dhe nënkryetari Spahiu përdorin KLD-në për interesa personale
KLD-ja ka qenë dje aktore e një shfaqjeje teatrale që solli në krye të Gjykatës së Tiranës një njeri të dëshiruar politikisht nga Edi Rama, dhe personalisht nga dyshja Topi-Spahiu.
Me këtë përzgjedhje, shpresohet që të vihet nën urdhra Gjykata e Tiranës, në mënyrë që ajo të shndërrohet në një apendiks, siç tashmë është verifikuar se po vepron Prokuroria.
Dje Këshilli i Lartë i Drejtësisë konsumoi përzgjedhjen jashtëligjore e regresive që gazeta jonë kishte kohë që e paralajmëronte; emërimin e Artan Zenelit në krye të Gjykatës së Tiranës. Standardi i përzgjedhjes të kujton fort arrogancën që mbërtheu institucionet pas rebelimit të vitit 1997, kur në epiqendër nuk ishin interesat e shtetit, bile as ato të pushtetit, por veç interesat e ngushta të klanit, kryesisht të familjeve që kishin lidhje të forta me rebelimin. Pikërisht këto standarde antishtetërore u vunë re dje kur presidenti i Republikës Bamir Topi si dhe nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë mbyllën sytë para alarmit mediatik, por edhe paralajmërimeve të ministrit të Drejtësisë, duke shpejtuar me ngut e në shkelje të plotë të procedurave të vendosnin të përzgjedhurin në detyrën delikate të përzgjedhur.
Sjellja e Topit dhe e Spahiut mua nuk më çudit e paralajmërime të kësaj natyre kam bërë edhe më herët, megjithatë tashmë është momenti që në interes të publikut, presidenti i republikës, së bashku me ndihmësin e tij në KLD të dëshmojnë se ç’interesa i shtyjnë të konfirmojnë kaq hapur pengmarrjen? Si është e mundur që krejt procedura u shkel, që me një vullnet të plotë drejtimi i Gjykatës së Tiranës u fut në krizë, iu kërkua pasardhësit që të jepte dorëheqjen dhe u soll njeriu i parapëlqyer, pa asnjë ditë gjyqtar, për t’u katapultuar para një jave si gjyqtar në detyrë e tashmë edhe si kryetar i saj. Kjo përzgjedhje ka qenë një rekrutim që vetëm me sistemin e drejtësisë nuk ka të bëjë, paçka se jam krejt i sigurtë se rekrutimi ka të bëjë me politikën si dhe me afera të tjera që prodhojnë interesa ekonomike. Me këtë përzgjedhje, në KLD u konfirmuan kuotat më të larta të kulturës së korrupsionit, ndërkohë që apelet e opinionit publik shpresohej që të pasoheshin me një qendrim më profesionist të anëtarëve të këtij institucioni, të cilët duhet të ndalin privatizimin prej dyshes së lartpërmendur, në mënyrë që pjesa tjetër të mos shndërrohet në një pjesëmarrje të një tufe delesh, që s’kanë zë e as mendim, por janë aty veç për praninë, bile edhe atë, rrezik pa asnjë lloj përfitimi.
Funksionimi i KLD-së si një kupolë apo edhe shfaqja teatrale që u vu në skenë dje nuk mund të fshehë interesin personal të dyshes Topi-Spahiu, por edhe interesin politik të Edi Ramës në këtë përzgjedhje. Pasqyrimi që mediat e majta i bënë gjatë ditës së djeshme shfaqjes teatrale të emërimit të Artan Zenelit në krye të Gjykatës së Tiranës konfirmojnë katërcipërisht interesin e Edi Ramës në këtë rekrutim, ndërkohë që optika e dyshes Topi-Spahiu është disi më e përcaktuar. Me këtë emërim, shpresohet që të vihet nën urdhra të drejtpërdrejta, vertikale, edhe Gjykata e Tiranës, në mënyrë që ajo të shndërrohet në një apendiks, siç tashmë po verifikohet se është kthyer edhe Prokuroria. Në emërimin e djeshëm, optika që ka udhëhequr procesin nuk ka qenë institucionale, por i ka ngjarë shtysave që çojnë njerëzit në themelimin e shpk-ve. Dje KLD-ja u vu në funksionim të interesave personale të presidentit Bamir Topi dhe nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë Kreshnik Spahiu dhe ky është realiteti, për të cilin ne dje morëm akt. Në vështrim të parë, konfirmojmë regresin që po pëson institucioni i KLD-së, ndërkohë që merret vesh se parlamentit të ri i del edhe një detyrim i ri për të ndalur këtë spirale të rrezikshme në të cilën po futet drejtësia shqiptare.
...