E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Me forcën e ligjit do të ndëshkojmë krimin dhe kriminelët

15-09-2012 / Gazeta 55

Mesditën e djeshme u zhvilluan homazhet për nder të Kryekomisar Adem Tahirajt në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë. Pranë trupit të të ndjerit bënë homazhe, kryeministri Sali Berisha, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, ministri i Brendshëm, Flamur Noka, ministrat Imami, Bumçi, Tafaj, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj, funksionarë të lartë të kësaj Policie, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama dhe kryetari i grupit parlamentar i kësaj partie Gramoz Ruçi si dhe qytetarë të thjeshtë. Më pas ceremonia vijoi në Varrezat e Dëshmorëve, ku dhe iu dha lamtumira e fundit, Dëshmorit të Atdheut. Në nder të kujtimit të kryekomisarit zhvilloi homazhe dhe Kryeministri Berisha, i cili më herët ishte i pranishëm dhe në familjen Tahiraj. Gjatë vizitës në familjen e Kryekomisar Adem Tahirajt, Kryeministri Berisha u shprehu familjarëve të tij ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e njeriut të tyre më të dashur. Këtë dhimbje, u shpreh Kryeministri, ju e ndani me të gjithë shqiptarët, pasi ajo është një humbje shumë e rëndë për familjen dhe për të gjithë, është dhimbje e madhe për efektivët e policisë, për shtetin, për gjithë vendin. Duke vlerësuar figurën e Kryekomisar Adem Tahirajt dhe kontributin e tij në shërbim të rendit dhe sigurisë, Kryeministri theksoi se humbja e tij nuk kompensohet me asgjë.
“Ai ra në krye të detyrës, nga një akt i shëmtuar kriminal, por kujtimi i tij mbetet i paharruar në memorien e të gjithë atyre që e kanë njohur, por edhe në memorien e të gjithë shqiptarëve, për sakrificën e tij sublime në përpjekje për të ruajtur rendin dhe sigurinë”- u shpreh Kryeministri.
Berisha siguroi familjarët se do të bëhet gjithçka që drejtësia dhe ligji të thonë fjalën e tyre dhe do të hetohet çdo detaj dhe çdo aspekt i këtij krimi makabër.
Pas vizitës në familje, Kryeministri Berisha bëri homazhe dhe vendosi një kurorë me lule, pranë trupit të pajetë të Kryekomisar Adem Tahiraj, i vendosur në mjediset e Shtëpisë Qëndrore të Ushtrisë. Në një deklaratë të tij, kryeministri Berisha dënoi ashpër aktin kriminal që i mori jetën kryepolicit të Shijakut ndërsa kërkoi ashpërsinë e ligjit ndaj autorëve.
“Jam këtu për të shprehur nderimin tim më të thellë, më të madh dhe të qeverisë shqiptare, për Dëshmorin më të fundit të Atdheut, Kryekomisarin Adem Tahiri, që ra në krye të detyrës, në përpjekje për të garantuar rendin, qetësinë, në bashkinë e Shijakut. Adem Tahiri ka qenë një oficer, Kryekomisar shembullor, trim, i vendosur dhe, me sakrificën e tij sublime, u faktoi kolegëve të tij dhe mbarë shqiptarëve se cili ishte kuptimi i lartë i detyrës për të. Kjo është një humbje e madhe për familjen në radhë të parë, ndaj dhe unë me këtë rast i shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta. Ngushëlloj forcat e rendit, efektivat e policisë, për humbjen e njërit prej anëtarëve më të talentuar të tyre, por dua t’i siguroj ata për mbështetjen më të plotë, më të vendosur të qeverisë dhe besimin e saj të palëkundur se, me forcën e ligjit, do të ndëshkojë krimin dhe kriminelët, aty ku ata ndodhen, në mënyrën më të vendosur. Dje, një vrasës i përsëritur goditi Kryekomisarin. Natyrisht, drejtësia do të thotë, me rreptësinë më të madhe, fjalën e saj, sikundër do të hetohet çdo element i këtij akti të shëmtuar. Dua të garantoj edhe njëherë shqiptarët se, Policia e Shtetit është sot më e vendosur se kurrë t’u japë përgjigjen e merituar, të gjithë atyre të cilët, për qëllime kriminale kërkojnë t’i imponohen rendit dhe ligjit”, u shpreh kryeministri Berisha.
Në emër të Presidentit të Republikës, Bujar Nishani homazhe ka zhvilluar Sekretari i Përgjithshëm Bardh Spahia. Ndërsa nga ana e tij, Presidenti Nishani i shprehu ngushëllime të sinqerta familjes Tahiraj. Sipas tij, vdekja e Kryekomisarit është një humbje për vendin.
“Rënia në krye të detyrës e shefit të Komisariatit të Shijakut është një humbje e madhe për familjen, por edhe për kolegët dhe të gjithë qytetarët e këtij vendi.
Kreu i Shtetit e konsideron vrasjen e Kryekomisarit Tahiri një akt të rëndë kriminal ndaj forcave të rendit që me përkushtim dhe disiplinë punojnë për garantimin e rendit dhe sigurinë e jetës së qytetarëve. Presidenti i Republikës ka bindjen e thellë se pavarësisht egërsisë dhe pabesisë që mund të shfaqin krimi dhe kriminelët, nuk do të munden ta thyejnë forcën e shtetit dhe ligjit, nuk do të munden ta përkulin kurajën dhe trimërinë e punonjësve të Policisë së Shtetit, nuk do të munden t’i shpëtojnë ndëshkimit të drejtësisë”, thuhet në mesazhin ngushëllues të Presidentit Nishani.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ndau me familjarët e Kryekomisar Tahirajt dhimbjen dhe pikëllimin e thellë për humbjen e njeriut të tyre të dashur. “Sapo i bëra ngushëllimet bashkëshortes, dy vajzave të vogla dhe djalit të Kryekomisarit të vrarë. Një akt jashtëzakonisht i rëndë, tmerrësisht i dhimbshëm. Adem Tahiraj ishte një djalë trim, i ndershëm, që i bënte nder policisë së shtetit shqiptar. Sigurisht që lajmi ishte tronditës, shokues për të gjithë ne. Pashë shokët e tij që qanin. Pashë fëmijët e tij që dridheshin. Sigurisht që drejtësia do të gjejë fajtorët dhe dënimi do të jetë jashtëzakonisht i rëndë. Adem Tahiri ishte trim i jashtëzakonshëm. Modeli i policit. Dhe unë gjej rastin për t’i bërë  ngushëllimet edhe shokëve të tij, policëve që punojnë me përkushtim, me ndërgjegje dhe me dashuri për atdheun”, tha Topalli. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›