E Shtunë, 31 Tetor 2026

Perçja, veli që ka ndarë shoqërinë

Burqa, chador, hijab. Europa kërkon të dijë më shumë për femrat myslimane. Mbulimi i fytyrës është një zgjedhje e lirë apo imponim maskilist?

Moulaika thotë se e vë për liri dhe jo për detyrim. "Kështu mund të shkoj në shkollë, të dal nga shtëpia, të bëj çfarë të dua, pa pasur frikë që meshkujt e familjes mund të më ndalojnë".

Khadija tregon se në shkollë, dy muaj më parë, i ishte afruar një profesori. I kishte treguar se mbante perçe, por në të njëjtën kohë e kishte barkun jashtë dhe po pinte cigare: "I kërkova të mos i tregonte vëllait tim, sepse në të kundërt ai do të më mbyllte brenda në dhomë dhe do ta hidhte çelësin jashtë".

Jalila dikur mbante perçe, ndërsa tani e ka hequr: "Më bezdiste, nuk më pëlqen dhe nuk besoj se jam një myslimane ‘e keqe‘ nëse eci në rrugë e zbuluar".

Sot vajzat që mbajnë perçe nuk ndihen më si të burgosura. Gjithsesi, ajo që i çudit më shumë kalimtarët në rrugë janë femrat e mbuluara me perçe nga koka deri te këmbët, përfshi edhe sytë. Shpesh ndodh që të shohim femra të cilat mbajnë "niqab", ajo lloj perçeje që lë të lirë shikimin dhe që disa prej vendeve perëndimore duan ta largojnë nga qarkullimi së bashku me "binjaken afgan", burqa-n e famshme.

"Në fakt, ‘burqa‘ është diçka shumë e rrallë. Jo se nuk ekziston, por jemi mësuar të shohim më shpesh ‘niqab‘-in", thotë Abdellah Kounati, Presidenti i Xhamisë së Paqes. "Kur myslimanet mbajnë perçe dhe të tillë quajnë gjithmonë ‘hijab‘-in, sepse nuk e mbulon fytyrën, femrat tona janë të rrethuara nga kurioziteti, por jo nga ndryshimi. Atëherë e shpjegojmë se ç‘është, veçanërisht fëmijëve, dhe gjithçka merr fund aty", shton ai.

Një muaj më parë një grua rreth të 50-ve protestoi kundër një gruaje me perçe ndërsa kjo e fundit shiste bileta në një kabinë të vogël pranë një stacioni treni. Koleget e Yamna Amellai mbështollën kokat me shami për solidaritet. "Kjo grua nuk është as e para e as e fundit. Para disa ditësh një burrë më tha të kthehesha në vendin tim", tregon Yamna, "por për fat të mirë injoranca nuk është aq e përhapur. Bota është e mbushur me emigrantë. Është e natyrshme që në këtë vend ku unë jetoj të ketë edhe të huaj".

Megjithatë, më i vështirë për t‘u kuptuar është fakti nëse femrat e futura brenda një veshjeje të traditës fetare e bëjnë për zgjedhje të lirë apo se janë të detyruara?

"Shkollat islamike theksojnë se ‘niqab‘ është perçja e vetme islamike, por nuk është shumë e përhapur", shpjegon Kounati.

Për shembull, zonja Fatma që është shitëse frutash dhe perimesh në treg, pohon se nuk ndihet si karnavale: "Perçja është zgjedhje e imja. Një grua e mbuluar ose një burrë me mjekër të gjatë nuk janë medoemos terroristë apo fundamentalistë. Përreth shoh shumë injorancë, por edhe shumë dëshirë për të mësuar e për të kuptuar".

Komunitetet myslimane shprehen se nuk e kanë pasur të lehtë të pranohen nga njerëzit e vendeve ku jetojnë. "Një ndër problemet më të mëdha ka qenë dhe mbetet fotografia në dokumente. Gjithsesi, sot situata është shumë më e qetë", thotë drejtuesja e zyrës së emigracionit në Francë. "Gjatë tre viteve të fundit më kujtohen vetëm tre raste ekstreme me burqa, dy femra somaleze dhe një franceze". Francezja që quhej Farin, e ndërroi emrin duke u bërë Aisha. Ajo refuzoi ta hiqte burqën, sepse nuk dëshironte të tregonte fytyrën. Ndërsa dy somalezet ishin të detyruara nga burrat e tyre. "Sot mund të themi se vendi ka arritur një nivel të lartë integrimi mes komuniteteve të ndryshme etnike dhe fetare". Megjithatë, realiteti është më i ndërlikuar. Këtu shumë femra vendosin të ndryshojnë fenë, të bëhen myslimane. "Sepse kam gjetur përgjigjet e shumë pyetjeve që më parë nuk arrija t‘i konceptoja", thotë Meri, por që të tani preferon ta thërrasin Amal. "Bashkëshorti im është maroken, por nuk është kjo arsyeja që u bëra myslimane. Unë besoj në Zot! Perçja? Është një zgjedhje".

Për dikë, perçja nuk përbën ndonjë problem, për shembull, për studentët dhe mësuesit e një shkolle në periferi të vendit. "Vajzat e reja myslimane hynë në klasë me perçe dhe kur shkojnë në plazh ose palestër veshin pantallona të shkurta", tregon një profesoreshë. "Duke parë këtë po ju them se më pëlqejnë më shumë myslimanet sesa vajzat e zakonshme që vijnë në shkollë gjysmë të zhveshura, tip kubistesh".

Pjesa më e madhe e myslimanëve që jetojnë në Francë janë femra, dhe kjo falë ribashkimit të familjeve dhe lindjeve. "Për shumë vajza perçja është pothuajse një kostum tradicional", thotë Presidenti i Xhamisë së Paqes. "Natyrisht që ka edhe gra të cilat detyrohen nga baballarët, vëllezërit dhe bashkëshortët, por nuk janë shumica". Shumë prej tyre kanë fotografi normale në pasaporta, janë të trukuara dhe me buzëkuq, por kur vijnë në vendet perëndimore vendosin përsëri perçe. Është mënyra e tyre për t‘u ndier myslimane, për të mbrojtur një identitet më shumë kulturor sesa fetar. "Jo të gjithë e pëlqejnë globalizimin, por pjesa më e madhe e njerëzve e ka kuptuar se nuk jemi një kërcënim për ta. Këto veshje janë thjesht pjesë e jona dhe e historisë sonë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›