“Përdorimi i dhunës është fundi i politikës!”- Avokati Sokol Hazizaj: Rama ka prodhuar një segment ku shteti vendoset në këmbët e një njeriu, në forma ligjore!
Avokati Sokol Hazizaj ka komentuar protestat e studentëve dhe reagimin e institucioneve, duke u shprehur se përdorimi i dhunës ndaj qytetarëve shënon dështimin e politikës.

Sipas tij, fakti që qytetarët dhe studentët kanë dalë në rrugë tregon se instrumentet politike nuk kanë funksionuar, ndërsa qeveria nuk mund t’i përgjigjet vullnetit të tyre përmes mjeteve represive.
“Një qeveri normale nuk mundet dhe nuk ka se si të ndërmarrë, me mjete dhe instrumente represive, vullnetin e qytetarëve në rrugë. Sa kohë qytetarët dhe studentët dolën në rrugë, do të thotë që nuk ka më instrumente politike. Këtu jemi zero politikisht. Kjo duhet pranuar”, u shpreh Hazizaj në News24.
Avokati iu drejtua gjithashtu punonjësve të Policisë së Shtetit, duke u shprehur se veprimet e tyre ndaj protestuesve duhet të shqyrtohen në raport me ligjin për tubimet, ligjin për Policinë e Shtetit dhe Kodin Penal. Hazizaj theksoi se përgjegjësia për veprimet e kryera është individuale.
“Proceduralisht, përgjegjësia është individuale. Mund të lajthisë kushdo, edhe kryeministri, por një qytetar që punon polic nuk mund të lajthisë, sepse ka përpara ligjin dhe veprimet e tij vullnetare në raport me ligjin.”, deklaroi ai.
Hazizaj komentoi edhe mënyrën se si kryeministri Edi Rama ushtron pushtetin, duke theksuar se ai nuk ka ndërtuar një sistem, por sipas tij, “ai ka prodhuar vetëm një segment se si shteti mund të vendoset në këmbët e një njeriu, në forma ligjore”.
Avokat Sokol Hazizaj: Një qeveri normale nuk mundet dhe nuk ka se si të ndërmarrë, me mjete dhe instrumente represive, vullnetin e qytetarëve në rrugë. Nuk duhet t’ia lejojë vetes dhe të tjerëve që qytetarët të dalin kundër tyre. Ndaj janë përdorur instrumentet politike për të marrë çfarë është e mira nga një tubim dhe për ta kthyer atë në politikë. Sa kohë qytetarët dhe studentët dolën në rrugë, do të thotë që nuk ka më instrumente politike. Këtu jemi zero politikisht. Kjo duhet pranuar.
Së dyti, çfarë do të kërkojë një mbrojtës ligjor i të dënuarit? U bëj thirrje qytetarëve të veshur me rrobën e policisë, që veprojnë në kundërshtim me tri rregulla ligjore, ligjin për tubimet, ligjin për Policinë e Shtetit dhe Kodin Penal, i cili parashikon përgjegjësi për veprimet arbitrare të policisë ndaj qytetarëve.
Dhe në fund, proceduralisht, përgjegjësia është individuale. Mund të lajthisë kushdo, edhe kryeministri, por një qytetar që punon polic nuk mund të lajthisë, sepse ka përpara ligjin dhe veprimet e tij vullnetare në raport me ligjin.
Një avokat i mirë do t’i kërkojë gjykatës dhe prokurorisë individualizimin e veprës penale që është kryer nga një polic. Kjo është në cilësinë e shpërdorimit të detyrës…
Përdorimi i dhunës është fundi i politikës. Në këto kushte, çfarë pret ai, të tërhiqen studentët? Po u tërhoqën, është dështim i këtij. Atëherë merr formë dhuna institucionale mbi ta. Në momentin që ti tërhiqesh nga mbrojtja e qytetarit polic, i cili për shkakun tënd ka përdorur dhunën, mendon se ka ndonjë polic që nesër do të përdorë dhunën? Jo!
Rama nuk ka prodhuar sistem dhe më vjen keq që njerëzit thonë se ka prodhuar. Jo, mo, jo! Nuk prodhon një njeri si ai sistem. Ai ka prodhuar vetëm një segment se si shteti mund të vendoset në këmbët e një njeriu, në forma ligjore. Por jo sistem.
Ai do t’i lëshojë edhe 83 deputetët e tij në momentin e fundit dhe, të jeni të bindur, shikoni karrierën e tij individuale politike, ka mbajtur ndonjë njeri përveç vetes? Dhe të gjithë ata që janë penalizuar edhe nga SPAK-u, nuk janë për fajin e tyre, por për fajin e tij, që i ka detyruar të kryejnë vepra penale.