E Diel, 1 Nëntor 2026

Përdorimi i tamiflusë vetëm me rekomandim të mjekut

22/07/2009  Urdhërohen mjekët në spitalet e rretheve që të plotësojnë formularët për çdo të dyshuar

Mbajtja e një higjiene të rreptë personale është këshilla kryesore që qytetarët duhet të zbatojnë për të parandaluar prekjen nga infeksioni i AH1N1. Ndërkohë përdorimi i medikamentit të vetëm trajtues - tamiflusë, do të përdoret vetëm në rastet kur mjeku specialist do ta rekomandojë. Ekspert e sëmundjeve infektive në ISHP-së kanë pohuar se nuk është e nevojshme që të përdoren sasi të medikamentit të tamiflusë, pasivisht nga popullata, përveçse në rastet kur vetë mjeku pas analizës së mirëfilltë dhe konfirmimit zyrtar të prekjes e rekomandon atë për pacientët. Kreu i ISHP-së, Ylli, ka pohuar se ky institucion ka një plan kontingjence, që ndryshon kohë pas kohe, në varësi të situatës. Përdorimi i tamiflusë nuk do të jepet veçse me rekomandimin e mjekut, sidomos pas analizës që do të bëjnë mjekët specialistë epidemiolog dhe infeksionistë”. Përkundrejt kësaj situate është këshilluar që popullata të tregohet e kujdesshme në evitimin e grumbullimeve në ambiente të mbyllura dhe pak të ajrosura, pasi mund të ndikojë në rritjen e nivelit të rrezikshmërisë. “Shenjat klinike të sëmundjes janë të ngjashme me ato të gripit normal, si: temperaturë e lartë e shoqëruar me kollë, dhembje koke, marrje mendsh dhe këputje. Shumë prej personave të prekur kanë shfaqur edhe diarre e të vjella të vazhdueshme”, - pohohet nga mjekët. Situata po kontrollohet më me rreptësi në spitalet e rretheve, ku është kërkuar që mjekët të mos neglizhojnë asnjë rast të dyshuar pa plotësuar formularin e të dhënave përkatëse për t’u analizuar.

Përhapja

Ekspertët e shëndetësisë kanë pohuar se përhapja e virusit të gripit të derrave që nga shfaqja e rasteve të para ka avancuar aq shumë, sa infektimi tashmë ka kaluar në përhapjen masive te njerëzit në saje të kontakteve ndërmjet personave të prekur dhe pjesës tjetër të popullatës. Infektimi shfaqet si një problem tipik i frymëmarrjes si dhe shkaktohet nga një virus i veçantë gripi i tipit A. Virusi A/H1N1, sipas mjekëve përhapet nëpërmjet ajrit si çdo virus tjetër dhe tashmë janë përcaktuar dhe masat parandaluese, ku rolin kryesor e luan mbajtja e higjienës personale në nivele maksimale si dhe evitimi i ambienteve të mbyllura, ku mundësia e infektimit është gjithnjë më e madhe.

Simptomat

Shfaqja e këtij virusi zhvillohet në faza dhe forma të ndryshme, të cilat varen dhe nga rezistenca e organizmit të personit mbartës. Megjithatë, mjekët kanë pohuar se simptomat e shfaqjes së këtij gripi janë të ngjashme me ato të gripit normal, por pasojat mund të jenë të rënda, sikundër mund të ndodhë që të shfaqet dhe në formën më të lehtë. Mjekët shtojnë se shenjat klinike të sëmundjes janë temperaturë e lartë e shoqëruar me kollë, dhembje koke, marrje mendsh dhe këputje. Shumë prej personave të prekur kanë shfaqur edhe diarre e të vjella të vazhdueshme. Për këto raste është e këshillueshme që menjëherë sapo të evidentohen këto shenja duhet të konsultohemi me mjekun specialist për të konfirmuar ose jo përhapjen.

Transmetimi

Transmetimi i këtij gripi bëhet ose përmes kontaktit me kafshët që bartin virusin, ose përmes kontaktit me personat e sëmurë dhe kjo e fundit ka shtuar numrin e të prekurve masivisht pothuajse në të gjitha shtetet. Personat e prekur nga sëmundja konsiderohen të infektuar gjatë gjithë kohës që janë me këtë grip dhe deri në 7 ditë pas shërimit të plotë nga simptomat, ndërsa fëmijët mund të qëndrojnë të prekur nga ky virus edhe për një kohë më të gjatë. Për sa i përket rikthimit të virusit sërish te personat që e kanë kaluar atë një herë, specialistët e shëndetit publik pohojnë se në morinë e personave mbartës nuk ka rezultuar asnjë rast që ky grip të jetë rikthyer për herë të dytë tek i njëjti individ. Pavarësisht këtij fakti, mjekët pohojnë se kujdesi duhet të jetë maksimal.

Trajtimi

Kurimi dhe trajtimi i personave që rezultojnë mbartës është i mundur në varësi të ecurisë së nivelit të përhapjes së infektimit. Megjithatë, specialistët e Institutit të Shëndetit Publik pohojnë se ilaçe të caktuara mund të ndihmojnë dhe të krijojnë rezistencën e duhur ndaj këtij virusi, siç janë antiretroviralët, por paralelisht kërkohet edhe higjienë e lartë personale që të jepet efekti i duhur. Deri tani, sipas mjekëve, trajtimi i vetëm mbetet ai me tamiflu, që disponohet nga institucionet tona shëndetësore dhe do të vihet në përdorim për të gjithë ata persona që do të konfirmohen nga analizat që do të bëhen në laboratorët e shëndetit publik. Drejtuesit e shëndetësisë kanë pohuar se përveç rezervave janë porositur dhe sasi shtesë tamiflu për popullatën.

Tamifluja

Përdorimi i ilaçit të vetëm që ndihmon në rritjen e rezistencës kundër efekteve që lë virusi i gripit të derrave duhet bërë me kujdes. Kjo është këshilla e ekspertëve shëndetësorë të institucioneve ndërkombëtare, por dhe ata vendas. Sipas raportimeve të bëra, aktualisht rezulton se institucionet shëndetësore kanë në gjendje rreth 5 mijë doza për rastet urgjentë. Ndërkohë ministrja Godo ka pohuar se janë porositur edhe 10 mijë doza të tjera, që do të shërbejnë për çdo rast problematik që do të shfaqet. Megjithatë, përdorimi i tyre duhet bërë me kujdes. Drejtori i ISHP-së, Alban Ylli, ka pohuar se këto ilaçe do të jepen vetëm me rekomandimin e mjekut, veçanërisht të atij epidemiolog dhe infeksionit, dhe jo për të tërë popullatën.

Këshillat për higjienën personale

1. Mbuloni gojën ose hundën me shami ose maskë kur kolliteni ose teshtini.

2. Këshillohet hedhja e shamive apo maskave në plehra dhe jo në vende të tjera.

3. Nuk duhet të pështyjmë në tokë, pasi virusi përhapet lehtësisht përmes ajrit.

4. Lani shpesh duart me ujë e sapun ose të përdoret alkooli për larje.

5. Shmangni kontaktet me njerëzit e tjerë nëpërmjet përqafimeve ose takim duarsh.

6. Nuk këshillohet fërkimi i syve, hundës apo gojës me duar të palara.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›