Përdorte lokalin për bixhoz, në pranga 35-vjeçari, procedohen 12 lojëtarët

Një 35-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë së Cërrikut, pasi organizonte në lokal, lojëra të kundraligjshme me zara. Po ashtu, janë proceduar penalisht 12 persona pasi u kapën duke luajtur në ambientet e këtij lokali.
Policia bën me dije se “Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme në ambientet e këtij lokali, u kap në flagrancë dhe u arrestua shtetasi E. G., 35 vjeç, pasi kishte vënë lokalin që kishte në pronësi, në dispozicion të organizimi të kundërligjshëm të lojës së fatit me zara.
Gjithashtu, për këtë rast u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 12 shtetas të tjerë të cilët u kapën duke luajtur me zara, në ambientet e këtij lokali”.
Blutë e Cërrikut kanë sekuestruar tavolinën ku zhvillohej loja me zara dhe rreth 65 000 lekë të rinj të dyshuar të përfituar nga kjo veprimtari e kundërligjshme.
/rtsh.al/