E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anëtarësimi i Turqisë në BE nuk është realist



A janë vërtet në një linjë Turqia dhe BE-ja në bisedimet për anëtarësimin? Qëndrimi pritës deri në refuzues nga njëra palë është më se i qartë.

Kryeministri turk Erdogan duket gjithnjë e më i zhgënjyer. Për sa i përket synimit të tij të madh për anëtarësimin e plotë të vendit në BE, ai mund të paraqesë një sërë reformash, që pret BE-ja nga Turqia. Dhe në sfondin e grindjes për furnizimet me gaz mes Rusisë dhe Ukrainës, Turqia ka fituar edhe më shumë peshë në politikën energjitike si një alternativë për rrugët e transitit.

A nuk mjafton e gjitha kjo për t´i hapur rrugën asaj drejt anëtarësimit të plotë? Zyrtarisht, kjo rrugë është përshkuar prej kohësh. Bisedimet e anëtarësimit vazhdojnë, kapitull pas kapitulli, siç thuhet në zhargonin e BE-së, është duke u punuar, ndonëse ngadalë, por sidoqoftë puna vazhdon. E megjithatë, Erdogani e bashkë me të shumë bashkatdhetarë të tij e ndiejnë se BE-ja nuk e do Turqinë si anëtare me të drejta të plota.

Disa, ndër të cilët edhe Kancelarja e Gjermanisë, Anxhela Merkel, e thonë këtë hapur. Por kur Presidenti i Komisionit, Hoze Manuel Barrozo (José Manuel Barroso) në mënyrën e tij në formë të detyrueshme thotë, që duhet të fitojmë opinionin publik në Evropë për anëtarësimin e Turqisë, kjo është e njëjta gjë, sepse shumica e qytetarëve dhe qytetarëve kanë qëndrim skeptik e refuzues dhe nuk ekziston asnjë shenjë për ndryshimin e opinionit.

Nuk janë vetëm reformat ende të parealizuara, as qëndrimi i dyzuar i Ankarasë ndaj anëtarësimit të Qipros në BE, por pengesa është më parimore dhe më e thellë.

Shumë njerëz, në vendet më të hershme anëtare kanë përshtypjen se BE-ja në raundin e zgjerimit të madh në vitin 2004, kur u pranuan dhjetë anëtarë të rinj, e ka tejkaluar masën. Njëkohësisht BE-së i mungon një reformë e brendshme për të qëndruar e aftë për veprim ose për t´u riaftësuar për veprim.

Por edhe kjo nuk i shpjegon të gjitha. Në të vërtetë, e gjitha ka të bëjë më shumë me ndjenjën konfuze, që Turqia në aspektin kulturor nuk i përshtatet Evropës. Shumë gjëra në këtë drejtim shihen në kontekstin e fesë islame. Nëse Turqia do të ishte një vend i vogël, situata do të ishte ndryshe. Fjala është për fenë islame dhe pasojat politiko-kulturore të saj, në lidhje me madhësinë e Turqisë.

Turqia ka aktualisht mbi 70 milionë banorë. Me popullsinë e saj të re, në një të ardhme të afërt, Turqia në aspektin demografik do t´ia kalojë Gjermanisë. Një Turqi si anëtare e BE-së do të ishte si rrjedhojë shteti me popullsinë më të madhe dhe me peshën e vet do të ndikonte ndjeshëm politikën e BE-së. Kush mund të garantojë që Turqia do të mbetet laike? Qysh tani ka prirje të qarta radikalo-islamike.

Të gjitha këto flasin për një lidhje gjithnjë e më të ngushtë të Turqisë me BE-në, por jo për një anëtarësim me të drejta të plota. Të përpiqesh ta realizosh një gjë të tillë kundër shumicës së popullsisë evropiane, do të ishte jo vetëm e pakuptimtë, por edhe e rrezikshme. Sidoqoftë, gjithnjë e më shumë politikanë të BE-së duhet të kenë kurajën që të flasin hapur me Turqinë, sepse nuk do të kishte gjë më deprimuese sesa të vazhdohen bisedime sa për sy e faqe për dekada me radhë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›