E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mirëserdhe, President!



Shtetet e Bashkuara të Amerikës prejt 5 ditësh po përjetojnë ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri. Për herë të parë në histori ky proces ka zgjatur aq gjatë. Ngjarjet e inaugurimit filluan zyrtarisht më 17 janar, me një udhëtim me tren që nis në Filadelfia me ndalesë në Ulminton, Delauer, Baltimor dhe Merilend, për të mbërritur më pas në Uashington D.C., ashtu si presidenti i 16-të i Shteteve të Bashkuara, Abraham Lincoln. Slogani i inaugurimit të Presidentit Barak Obama (Barack Obama) është “Një lindje e re e lirisë”, në përkujtim të 200-vjetorit të lindjes së Presidentit amerikan, Abraham Lincoln. Fituesi i zgjedhjeve presidenciale amerikane, më 4 nëntor 2008, Barak Obama, bëri betimin si president i 44-t i SHBA-së dhe me këtë zyrtarisht e merr detyrën e Presidentit të 43-të të Shteteve të Bashkuara, George W. Bush (Xhorxh Bush). "Unë, Barack Hussein Obama, e them solemnisht në këtë betim këtë: Unë, me plotë besim dhe me aftësitë e mia hyj në zyrën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, dhe do të bëjë më të mirën, të ruajë, të mbrojë dhe të zbatojë Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kështu, o Zot! Më ndihmo!”, - u betua presidenti i 44-t i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama. Një rëndësi të jashtëzakonshme në inaugurim i kushtohet edhe fjalimit të Presidentit të ri. Një frazë e fjalimit në ditën e inaugurimit futet në librin e historisë së presidentëve të Amerikës dhe ruhet si e shenjtë. Zakoni i mbajtjes së një fjalimi Ditën e Betimit nisi me ceremoninë e parë të inaugurimit, pra me Presidentin Xhorxh Uashington më 30 prill 1789. Çdo President që nga koha e Xhorxh Uashingtonit ka mbajtur një fjalim Ditën e Betimit. Inaugurimet e presidentëve janë të sanksionuara në Kushtetutën e SHBA-së. Aty thuhet se Presidenti duhet të përsërisë betimin prej 35 fjalësh, në të cilin premton se do të “ruaj dhe mbrojë me devotshmëri Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”. Betimin së pari e mbajti nënpresidenti amerikan, Joseph Biden Jr. (Xhozef Bajden), ndërsa pastaj, në diferencë disaminutash, e mbajti edhe Presidenti i ri i SHBA-së, Barak Obama. Pastaj vjen bekimi dhe përcjellja e Presidentit të deritanishëm, presidentit të 43-të George W. Bush (Xhorxh Bush), i cili gjatë këtij mandati hyri në historinë e shqiptarëve si mik i madh e i përjetshëm. Kujtojmë këtu ccështjen e statusit përfundimtar të Kosovës, çështje e cila gjeti zgjidhje më 17 shkurt 2008 në sajë të përkrahjes pa rezerva të Shteteve të Bashkuara të Presidentit Bush dhe të administratës së tij. Presidentit Bush ishte në vijimësi të qëndrimeve të paraardhësve të tij në Shtëpinë e Bardhë, respektivisht presidentëve Klinton dhe Bush Senior. Çështja e dytë shumë e rëndësishme për shqiptarët, por edhe për Ballkanin ishte çështja e anëtarësimit të vendeve të “A-3”-shit (Kroacisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë) në NATO dhe posaçërisht Shqipërisë, për të cilën Presidenti Bush dha një mbështetje të jashtëzakonshme. Sakaq, sot Amerika me këtë akt do ta fitojë deri më tani Presidentin më të ri dhe të parin me origjinë afrikane, ndërsa bota me shpresë pret se ardhja e liderit të ri në ballë të Shtëpisë së Bardhë do të ndihmojë në tejkalimin e krizës ekonomike aktuale dhe do të kontribuojë për qetësimin e zjarreve të krizave në mbarë botën.

Betimi i Obamës

E martë, 20 janar 2008. Sot, për herë të parë në histori në këtë ngjarje për publikun u hap dhe ambienti i të ashtuquajturës Mol Nacional- sipërfaqja e gjelbër në qendër të Uashingtonit, e cila shtrihet nga Kapitol Hill deri tek Përmendorja e Uashingtonit, rreth së cilës ndodhen muzetë dhe institucionet më të rëndësishme. Ceremonia zyrtare e inaugurimit filloi zyrtarisht në orën 10 sipas kohës së Uashingtonit, përkatësisht në orën 16:00 sipas kohës evropiane, para ndërtesës së Kongresit, me muzikë të orkestrës së marinarëve amerikanë dhe me fjalimin përshëndetës të senatores demokratike, Dajana Fejnstajn. Portat në ceremoninë e inaugurimit hapen në orën 8. Ceremonitë janë programuar të nisin në orën 10 në Frontin Perëndimor të Kapitolit. Ato do të përfshijnë: - Përzgjedhje muzikore të bandës së marinës të SHBA-së, të pasuar nga Kori i djemve të San Franciskos dhe kori i vajzave të San Franciskos. - Senatorja Dajen Feinstain mban fjalimin e mirëseardhjes. - Përzgjedhje muzikore nga Aretha Frenklin - Bajdën bën betimin përpara gjykatësit të Gjykatës së Lartë, Xhon Pol Stivens. - Përzgjedhje muzikore nga Xhon Uilliams. - Obama bën betimin, duke përdorur Biblën e inaugurimit të Presidentit Linkoln, përpara Kryegjykatësit të Gjykatës së Lartë, Xhon Roberts. Betimi bëhet diku rreth mesditës. - Obama mban fjalimin e inaugurimit. - Poemë nga Elisabet Aleksandër. - Bekimi nga prifti Zhozef Lauëri. - Himni Kombëtar nga banda e marinës së SHBA-së, “Këngëtarët e Detit”. Pasi të mbajë fjalimin e inaugurimit, Obama, do të shoqërojë Presidentin në largim, Xhorxh Bush, në ceremoninë e largimit. Më pas do të ketë radhën Parada e 56-të e Inaugurimit përgjatë Bulevardit Pensilvania nga Kapitoli për në Shtëpinë e Bardhë.

Historia e betimeve

Historianët përkujtojnë se inaugurimi i Presidentit të parë të SHBA-së, Xhorxh Uashington, në vitin 1789 në Nju-Jork ka qenë ngjarje modeste. Në kohën e sotme, inaugurimi solemn i liderit të ri amerikan është solemnitet disaditor, i cili nënkupton paradë, koncerte dhe ballo të panumërta. Sipas analistëve, inaugurimi i Obamës është më i shtrenjti në histori, përkundër vështirësive ekonomike me të cilat ballafaqohen SHBA-ja, ndërsa shpenzimet e përgjithshme për këtë qëllim vlerësohen në 160 milionë dollarë. Festimi me rastin e marrjes së detyrës të Presidentit të parë, i cili nuk është i bardhë, zgjati pothuajse pesë ditë, me një numër rekord të pjesëmarrësve prej 3.5 deri dy milionë njerëz, në dy ditë e fundit. Ngjarja qendrore ishte betimi, të cilin Presidenti tradicionalisht e dha para gjykatësit suprem të SHBA-së, para ndërtesës së Kongresit Amerikan, dhe fjalimi për inaugurimin, me të cilin lideri i ri kumton në cilin drejtim planifikon ta udhëheqë vendin në katër vitet e ardhshme. Obama betimin e bëri me një dorë në Biblën të cilën në vitin 1861 gjatë inaugurimit e ka mbajtur Abraham Linkoln. Pavarësisht kohëzgjatjes së fjalimit presidencial, vetë inaugurimi është i rëndësishëm për traditën amerikane, i cili dëshmon për kontinuitetin demokratik dhe transferimin e qetë të qeverisë në SHBA. Më pas me anëtarët e Senatit dhe të Kongresit, e Qeverisë, Presidenti i ri i SHBA-së, Barak Obama dhe nënpresidenti Xhozef Bajden i drejtohen varganit të Kongresit deri tek Shtëpia e Bardhë dhe nga një tribunë speciale ndjekin paradën spektakolare. Pasdite dhe në mbrëmje mbahen ballo, ndërsa Presidenti i ri i SHBA-së gjatë ditës së sotme me shumë personalitete të shquara do të marrë pjesë në meshë në Katedralen Kombëtare në Uashington. Numri i ballove zyrtare gjatë javës së inaugurimit është më i madh se ai i presidentëve të mëparshëm. Çifti i ri presidencial Barak dhe Mishele Obama do të ndjekë dhjetë ballo zyrtare më 20 janar. Çifti Obama do ta nisë me ballon “Neighborhood Inaugural Ball”. Obama do të jetë i pranishëm dhe në “Ballon e komandantëve” në Muzeun Kombëtar, ku do të jenë të pranishëm familjet e heronjve të rënë dhe ushtarakëve në detyrë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›