Përfaqësuesja e OSBE në Tiranë, takon Berishën

Lucinda Creighton
TIRANE- Nesër pritet të vizitojë Tiranën në një vizitë gjysmë-ditore përfaqësuesja e Kryetarit të Radhës së OSBE-së, ministrja irlandeze për Çështjet Evropiane, Lucinda Creighton.
Zonja Creighton gjatë qëndrimit të saj në Tiranë do të ketë takime të nivelit të lartë, me kryeministrin, Sali Berisha, ministren e Integrimit, Majlinda Bregu dhe zëvendësministren e Punëve të Jashtme, Edith Harxhi. Nuk është parashikuar asnjë takim me eksponentë të opozitës.
Në deklaratën e zyrës së shtypt të OSBE-së në Tiranë thuhet se, vizita e Creighton në Shqipëri është pjesë e vizitës së saj zyrtare në rajon, në cilësinë e dyfishtë të përfaqësueses së Kryetarit të Radhës së OSBE-së dhe të Presidencës së ardhshme të Bashkimit Evropian.
Para ardhjes në Tiranë, ajo ka mbajtur takime në Beograd, Prishtinë, Shkup dhe Lubjanë.
Gjatë qëndrimit të saj në Prishtinë, përfaqësuesja e BE-së bëri thirrje për reforma të mëtejshme për të siguruar një të ardhme më të qëndrueshme.