Opozita kundër, tërhiqet Topalli, nuk hedh në votim Gjykatën e Lartë

Kuvendi i Shqipërisë nuk hedh në votim projektligjin për Gjykatën e Lartë. Pas qëndrimit kundër të opozitës, e cila deklaroi hapur se nuk do të japë votë për kalimin e këtij projektligji, i cili kërkon shumicë të cilësuar, 3/5 e deputetëve, kryeparlamentarja Topalli është tërhequr nga votimi. Ndërkaq në parlament me 71 vota pro, 53 abstemin dhe asnjë kundër u miratua ligji për organizimin dhe funksionimin e administrates, si dhe ligji për profesionin e avokatit me 124 vota pro.
Përpara votimit projektligji për gjykatën e lartë solli diskutime në sencën e sotme plenare, ku opozita u shpreh kudër këtij projektligji. Gjatë fjalës së tij, kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruci, ka akuzuar mazhorancën se po bën shfaqe, pasi sipas tij ajo nuk është e interesuar realisht për miratimin e këtij projektligji. Një deklaratë të tillë ai e ka argumentuar me faktin se në asnjë moment asnjë përfaqësues i pozitës nuk ka kërkuar bashkëpunimin e opozitës lidhur me këtë cështje.
“Nëse mazhoranca do të donte të mirotonte këtë ligj do kishte kërkuar kontributin e opozitës. Opozita ka qenë e gatshme të jepte gjithë kontributin e saj. Asnjë përfaqësues i pozitës nuk ka tentuar të kërkojë bashkëpunimin e opozitës. Opozita ua ka thënë që ditën e parë të fillimit të sesionit të ri parlamentar. Komunisti Berisha nuk bëri asnjë hap. Zbatoni Kushtetutën, ne po kërkojmë një të drejtë kushtetuese” tha ai.
Ruci ndër të tjera ka hedhur akuza mbi mazhorancën për kapje të drejtësisë, duke e lidhur këtë me cështjen e debatueshme të Këshillit qarkut të Fierit.
“Sot kanë vajtur të gjitha vendimet e gjykatave në Bruksel. Ju thoni se keni 12 prioritete, ne kërkojmë zbatimin e drejtësisë, ky është kusht për integrimin. Kusht tjetër është liria, të drejtat e njeriut. 56 burrave u ka dhënë populli një mandat dhe ti u thua jo” theksoi Ruci.
Ndërsa në emër të grupit parlamentar demokrat, udhëheqësi i tyre, Astrit Patozi, u shpreh se kreui PS, Edi Rama po i rikthehet sërish bllokimit. Lidhur me kushtëzimin e opozitës për ligjin e gjykatës së lartë, Patozi u shpreh hapur se integrimi nuk kalon nga Fieri dhe se mazhoranca është e vendosur për të mos bërë asnjë lloj pazari me opozitës në këtë nivel kaq të ulët.
“Integrimi nuk kalon nga Fieri. Axhenda kombëtare hidhet në kosh, për interesa të ngushta.Edi Rama është gati të injorojë cdo lloj armate të kësaj administratë. Edi Rama ka vendosur dhe njëherë të bllokojë, sot do të diskutonim projektligjin e gjykatës së lartë, mirëprisnim propozimet e opozitës.Ne jemi ligjvënës, për ne si mazhorancë nuk ka rëndësi nëse qeverisim një qark më shumë apo më pak, por është ligji që vendos, ne as japim as heqim madate. Ne nuk na lejohet të bëjmë pazare, aq më tepër për një karrige të një kryetari qarku. Kjo nuk është gjë tjetërm, vecse mjerimi i opozitës. Duke refuzuar pazaret kjo mazhorancë po i ruan nderin edhe opozitës. A nuk dështoi tentative e Edi Ramës që përmes imunitetit të shtinte në dorë të gjithë institucionet dhe vetëm kur paketa e tij u braktis nga eksponentë më të lartë të PS, ndërkombëtarët po e po, hoqi dorë. Në BE nuk do kalojnë vetëm shqiptarët e mazhorancës, qëndrimi na jepni Fierin se ju japim integrimin është pa logjikë. Sot ishte një rast për të treguar se sa seriozisht e marrim ne BE” tha Patozi.
Në përfundim të fjalës së tij Patozi theksoi se asnjë parti s`duhet të verë asnjëherë kushte kur në lojë janë fatet e vendit, por dhe nëse e bën duhet ta bëjë në një mënyrë inteligjente.