E Shtunë, 31 Tetor 2026

Performanca e vendit ne fusha te ndryshme e suksesshme

Kryeministri Berisha bëri një përmbledhje të qeverisjes në këto dy mandate, ku kryefjalë është pikërisht përdorimi i çdo pasurie të vendit në funksion të mirëqenies së qytetarëve. Në këtë mënyrë, kreu i ekzekutivit zgjodhi që në këto ditë të fundit të këtij viti të bëjë një panoramë të qartë të të gjithë arritjeve dhe masave të marra nga kjo qeveri me qëllim çuarjen përpara të zhvillimit të vendit. Kryeministri Berisha duke prezantuar para gazetareve raportin e SEDA – për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm – të përgatitur nga Bostobn Consulting Group, tha se Shqipëria në këto 6-7 vitet e fundit ka bërë një ndryshim thelbësor të zhvillimit të saj ekonomiko-social. Ky raport, ka marrë në shqyrtim 150 vende të globit dhe është bazuar në raportimet e FMN, Bankës Botërore, OKB, Forumeve të ndryshme ekonomike dhe iniciativave studimore prestigjoze për të nxjerrë përfundimet e tij. Në shumë prej indikatorëve të marrë në shqyrtim, Shqipëria me reformat që ka aplikuar në këto 6-7 vitet e fundit, ka arritur të renditet ndër vendet me më shumë zhvillim. Pjesë të këtij ndryshimi cilësor, kryeministri, deklaroi infrastrukturën rrugor me mbi 10 mijë kilometra rrugë të asfaltuara; rritjen e rrogave dhe pensioneve për kategori të ndryshme sociale; nivelin e të ardhurave për frymë nga 3900 në 9300 dollarë në këtë periudhë; furnizimin me ujë të pijshëm për mbi 97% të popullatës; luftën pa kompromis me krimin dhe korrupsionin; zbatimin e ligjeve të ekonomisë së tregut; zhvillimin e sistemit arsimor e shëndetësor, etj. Sipas kryeministrit Berisha, prioritet absoluti i qeverisjes së këtyre viteve ka qënë që çdo pasuri kombëtare të kthehet në mirëqenie ekonomiko-sociale për shqiptarët. Ndër treguesit më sinjifikativ të këtij progresi të jashtëzakonshëm, sipas kryeministrit, ka qënë penetrimi i internetit në mbi 63% të popullatës dhe telefonia celulare në mbi 186%.   Në vlerësimin e tij, perfomanca e vendit në fusha të ndryshme e suksesshme. Në këtë panoramë një vend të veçantë zinin hapat e ndjekura nga ana e qeverisë “Berisha” me qëllim nxitjen dhe tërheqjen e investitorëve të huaj në vendin tonë.   “I jemi përmbajtur të vërtetave. Kam deklaruar para shqiptarëve se nuk ka qëllim më madhor sesa zhvillimi dhe ia kemi arritur. Shpesh jam kritikuar se po përdor nota euforike, por theksoj se i jam përmbajtur të vërtetës. Ne një hark kohor të tre vjetëve rroga mesatare është rritur dyfish dhe ato nën mesataren nga 120 - 150%, pensionet janë dyfishuar. Shqipëria është i vetmi vend në rajon që ka pasur ulje të papunësisë, fale reformave të qeverisë. Shqipëria ka ruajtur një rritje konstante ekonomike edhe në kushtet e krizës”, vuri në dukje Berisha.  Kreu i qeverisë shprehu angazhimin e tij se do të investohet në favor të mirëqënies së qytetarëve çdo dollar që do të përfitohet nga privatizimi "Albpetrol".
“Të gjitha ofertat u hapën para kamerave. Një ofertë u paraqit, po zbatohet ligji, i cili parashikon për firmën ofertuese  zgjatjen e afatit edhe me një muaj. Është dhënë ky muaj,  në këtë proces ne kemi konsulencë, ndjekim  ligjin. Në rast se përfundon me sukses çdo dollarë do të kthehet në mirëqenie për qytetarët. Asnjë dollarë prej tij nuk është përfshirë në buxhetin e shtetit. Sa u takon HEC-eve mund të them se është një proces kryekëput transparent, ofertat janë hapur para kamerave televizive, konsulenti është tepër serioz. E njeh apo jo Rama procesin, e rëndësishme është të njohë veten e tij”, veçoi Berisha, lidhur me këtë çështje.  Po kështu, duke pasur si prioritet pikërisht infrastrukturën rrugore Kryeministri garantoi se ashtu siç janë ndërtuar me dhjetra km rrugë në Kukës ashtu do të vijojë dhe ndërtimi i rrugëve të tjera ku në fokus do të jetë financimi i “Rrugës së Arbërit". 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›