E Diel, 1 Nëntor 2026

Përfundoi afati për azhornimin në terren, procesi nuk mbaron

SHKRUAN: Sabina Veizaj 19-01-2011 11:09

Në fund të dhjetorit 2010, duhej të përfundonte procesi i azhornimit të gjithë pasurive të palegalizuara në Tiranë; qytet dhe periferi. Procesi ende nuk ka përfunduar. Publikimi i listave të fundit ka qenë 29 dhjetori i 2010-ës, ndërsa edhe Banka Botërore ka tërhequr vëmendjen për një proces të zvarritur legalizimesh.

Duket se procesi i legalizimit në Tiranë ka dështuar. I deklaruar nga drejtuesit e njëpasnjëshëm të Agjencisë Rajonale të Legalizimit Tiranë, se procesi i azhornimit të pasurive në rrethin e Tiranës, qytet dhe periferi, gjithashtu edhe riazhornimi i disa prej tyre, që për arsye të ndryshme ishin të paprekura, do të përfundonte në fund të dhjetorit 2010, ende po vazhdon. Nga ana tjetër, pagesat për ata që janë në proces nuk po kryhen. Drejtoria e ALUZINI-t, deri më datën 29 dhjetor të vitit që sapo lamë pas, janë publikuar në media çdo dy javë lista emërore të personave të cilët kanë aplikuar për legalizimin e pasurive të tyre, që ndodhen në 11 njësitë bashkiake. Por nuk ka asnjë informacion nga zyrat e kësaj agjencie, nëse janë shlyer faturat e taksës së infrastrukturës dhe nëse ka nisur dhe në ç’fazë ka arritur shlyerja e faturave financiare të legalizimit të pasurive të paluajtshme të qytetarëve, të cilëve u ka dalë emri në shtypin e përditshëm, pas vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave. Nga Agjencia Rajonale e Legalizimeve, Tiranë, nuk ka asnjë publikim zyrtar, nëse nga 20 000 dosje për qytetin e Tiranës, sa kanë mbetur pa u kaluar në proces legalizimi për mosplotësim kriteresh. Gazeta “MAPO”, në një vëzhgim që ka bërë në sportelin e vetëm të ALUIZN-it, Tiranë, ka ndeshur në radhë të pakënaqura qytetarësh që prisnin pas derës së agjencisë, duke qenë të paqartë për legalizimin e pronave të tyre. Ata vijnë herë pas here në ditët që iu përcaktohen, dhe nuk gjejnë asnjë mbështetje për informacion. “Nuk di me çfarë do të paguaj dhe kur. Nuk më japin asnjë përgjigje. Na thanë që do të paguajmë me bono privatizimi. I kemi blerë dhe po na rrinë në shtëpi. Nuk dimë çfarë do të bëhet” - u shpreh një qytetare. Ndërsa një person tjetër, kishte probleme teknike në matje të banesës, pasi punonjësit e autorizuar për këtë punë, në dokumente kishin ndërruar pronësinë e objektit të tij me fqinjin, duke bërë që personi në fjalë të paguante më shumë dhe jo për pronën e tij, por të fqinjit. Ndërkohë që radhët vazhdojnë në sportelin e ALUIZN-it Tiranë, nuk ka asnjë të dhënë zyrtare në lidhje me mbarëvajtjen e procesit të legalizimeve. Nga ana tjetër, edhe Banka Botërore në raportin e saj më të fundit për ecurinë e ekonomisë shqiptare ka vlerësuar se, një e treta e ndërtesave në Shqipëri janë të jashtëligjshme, ndërkohë që ritmi i ndërtimeve pa leje po vijon, sidomos në zonat turistike. Në raport, Banka Botërore ka vërejtur se, procesi i legalizimit po ecën me shumë ngadalësi dhe nga ana tjetër po ndërtohet pa leje, sidomos në zonat turistike. Ish-drejtori i ALUIZN-it të Tiranës, Ferdinad Shehu, kishte pohuar pak në një intervistë për “MAPO”-n se, deri në fund të dhjetorit 2010 do të përfundonte azhornimi edhe për periferitë e Tiranës, por nuk ndodhi kështu. Ndërsa, ishte pikërisht procesi i ngadaltë i legalizimeve, problemet e mospërfundimit në kohë të të gjithë dosjeve për t’u drejtuar në hipotekë, dhe mospagimi i faturave financiare që të shkarkohet nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Legalizimit dhe Urbanizimit për Tiranën, Ferdinand Shehu. Sipas burimeve konfidenciale në ALUIZN, edhe për kryeqytetin brenda vijës së verdhë nuk ka mbaruar ende azhornimi i dosjeve dhe mbetet periferia, pa nisur ende procedurat administrative për legalizim. Në të njëjtën kohë, nuk ka nisur ende pagesa e faturave fundore për parcelat e pronarëve për legalizim, ndërsa është vonuar edhe pagesa e taksës infrastrukturore.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›