E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfundoi konferenca për SIDA-n

Në Washington u mbyll konferenca e 19-të ndërkombëtare për SIDA-n, pas një javë diskutimesh që u përqendruan në gjetjen e mënyrave për t’i dhënë fund epidemisë.

Më shumë se 20 mijë delegatë, duke përfshirë artistë, politikanë të rangjeve të larta dhe shkencëtarë e mjekë morrën pjesë në këtë aktivitet gjashtë ditësh.

Fondet për kërkimet e SIDA-s ishin në krye të rendit të ditës, në një kohë kur Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera dhuruese, të cilat kanë shpenzuar miliarda dollarë për të luftuar SIDA-n, ndeshin në kriza ekonomike në vendet e tyre.

Ish presidenti i Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton, mbajti një fjalim në seancën e mbylljes. Ai tha se kishte biseduar me punonjësit e shërbimit shëndetësor, të cilët thonë se nuk ka mjaft fonde për gratë shtatzëna dhe për nënat. Shtetet e Bashkuara thanë se po dhurojnë një fond shtesë prej 80 milionë dollarësh, për të ndihmuar në eliminimin e transmetimit të infeksionit nga nëna tek fëmija deri në vitin 2015.

Konferenca u mbajt në Shtetet e Bashkuara për herë të parë në 22 vjet, pasi Presidenti Barack Obama hoqi kufizimet që ndalonin personat e diagnostikuar me HIV që të hynin në Shtetet e Bashkuara.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›