Ushtria siriane vazhdon sulmin kundër Aleppos

Kryengritësit që i përkasin Ushtrisë së Sirisë së Lirë deklaruan se kanë mposhtur ofensivën e parë dhe kanë shkatërruar disa tanke, por për këtë fakt nuk ka konfirmim të pavarur. Vendet perëndimore kanë njoftuar se i druhen një gjakderdhjeje të mundshme në këtë qytet, për shkak se të dyja palët janë përgatitur për një betejë të madhe.
Raportohet se tanket e qeverisë kanë hyrë në lagjet jugperëndimore të qytetit. Ndërkohë, mjetet ajrore të qeverisë kanë fluturuar në lartësi të ulëta mbi qytet, ndërsa një varg me automjete është krijuar nga civilët që po përpiqen të largohen.
Disa diplomatë besojnë se rënia e qeverisë është vetëm çështje kohe, por për sirianët, kjo kohë është e kushtueshme. Që nga fillimi i kryengritjes në mars 2011, besohet se mbi 19 mijë njerëz janë vrarë dhe numri i viktimave është rritur.
Vetëm gjatë qershorit kanë mbetur të vrarë mbi 7 mijë persona.