E Diel, 1 Nëntor 2026

Përfundon afati për kandidaturat në Kushtetuese dhe në Gjykatën e Lartë

Nis verifikimi i dokumenteve të dorëzuara nga aplikantët për vendet bosh

Laureta Rryçi

Përfundon afati zyrtar për paraqitjen e kandidaturave në Presidencë për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e Lartë. Kjo procedurë ishte hapur me dekret nga presidenti Bamir Topi që në fund të muajit janar. Kryetari i shtetit pritet të nisë së shpejti mbledhjen e informacioneve mbi kandidaturat për të plotësuar vendet bosh në dy prej gjykatave më të rëndësishme në vend, përkatësisht dy në Gjykatën e Lartë dhe gjashtë në Gjykatën Kushtetuese. Përzgjedhja e këtyre gjyqtarëve është cilësuar si shumë e rëndësishme për shkak të rëndësisë së institucioneve kushtetuese ku pritet të bëhet zëvendësimi. Pikërisht për këto emërime, vetëm pak ditë më parë u organizua një tryezë me aktorë të rëndësishëm të politikës së brendshme dhe asaj ndërkombëtare, ku midis të tjerave u theksua se duhet të ruhet pavarësia e institucioneve.
Përzgjedhja
Në bazë të përcaktimeve kushtetuese dhe ligjore, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese emërohen nga radhët e juristëve me kualifikim të lartë dhe me përvojë pune jo më pak se 15 vjet në profesion. Gjyqtarët e Gjykatës së lartë emërohen nga radhët e gjyqtarëve me vjetërsi pune jo më pak se 10 vjet, ose nga radhët e juristëve të shquar që e kanë ushtruar këtë profesion për jo më pak se 15 vjet. Në Kushtetutë është e përcaktuar qartë se zëvendësimi i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë bëhet me emërim të Presidentit të Republikës dhe dhënie pëlqimi nga Kuvendi i Shqipërisë. Duke nisur nga rëndësia që ka një gjykatë e tillë për shkak të natyrës së saj, si institucioni më i lartë vendimmarrës në vend, kryerja e zëvendësimeve pritet të kthehet në një betejë të vërtetë mes institucionit të kreut të shtetit si garant i Kushtetutës dhe maxhorancës qeverisëse, që do të përpiqet që të marrë shumicën e anëtarëve duke garantuar kështu vendimmarrjen e mëtejshme në favorin e saj. Pavarësisht se Kushtetuta i jep Presidentit kompetencën e emërimit të anëtarëve të kësaj gjykate, për të marrë fuqi ligjore një emërim i tillë, duhet të marrë më parë edhe pëlqimin e Kuvendit, çka do të thotë që çdo kandidaturë do të votohet. Një procedurë e tillë e bën të detyrueshme për Presidentin që të marrë pëlqimin e shumicës në pushtet, e cila, në rastin konkret, pritet të bëjë përpjekje për t’i imponuar kreut të shtetit emrat e saj për të marrë në këtë mënyrë shumicën në Gjykatën Kushtetuese dhe në institucionet e tjera, me qëllim garantimin e vendimmarrjes në favorin e saj. Në rast se Presidenti nuk do të marrë pëlqimin e maxhorancës, atëherë në qendër të skenës politike mund të kthehet precedenti i vitit 2008, kur Kuvendi rrëzoi propozimet e Presidentit për anëtarë të Gjykatës së Lartë.
Përplasjet
Në qershorin e vitit 2008, emërimet për vendet vakante në Gjykatën e Lartë e vunë presidentin Topi përballë presioneve dhe sulmeve nga ana e maxhorancës. Në atë kohë, drejtuesit e së djathtës akuzuan kreun e shtetit se për emrat e përzgjedhur për Gjykatën supreme nuk ishte konsultuar dhe as kishte marrë mendimet e Kuvendit, çka çoi dhe në refuzimin me votë të propozimeve të para të asaj kohe të kreut të shtetit. Pak ditë më parë, në një tryezë të posaçme, ish-presidentë, diplomatë dhe specialistë të fushës mbështetën presidentin për përzgjedhjen e emrave, ndërsa nuk munguan dhe propozimet në mënyrë që të ndryshohet Kushtetuta për të evituar që kompetencat e kreut të shtetit të rrezikoheshin nga kompetencat kryeministrore.

16 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›