E Shtunë, 31 Tetor 2026

Perfundon ndertimi i rruges Gramoz Pashko

Me një investim prej 99.6 milionë lekësh, ka përfunduar ndërtimi i rrugës “Gramoz Pashko” që u shërben rreth 8 mijë banorëve. Përgjatë kësaj rruge me gjatësi 541.5 m, gjerësi 7 m dhe trotuare në dy anët, janë ndërtuar kanalizimet e ujërave të bardha dhe të zeza, është risistemuar dhe pastruar kolektori, janë vendosur 69 shtylla të ndriçimit rrugor si dhe janë mbjellë 270 pemë bli. Përgjatë gjithë segmentit rrugor, janë kryer punime për linjat rezervë, fibra optike dhe shërbimet inxhinierike nëntokësore.

“Kjo është një rrugë tërësisht e re e kryeqytetit, që u shërben mbi 8 mijë banorëve dhe mbi 30 mijë qytetarëve të tjerë që do ta përdorin atë si arterie komunikimi ditë për ditë. Është një rrugë e bërë me parametra modernë, që ka ndryshuar tërësisht cilësinë e jetës së këtyre banorëve, këtu, mban emrin e një prej themeluesve të Partisë Demokratike dhe sot jam jashtëzakonisht i kënaqur që bashkë me banorët shikojmë përfundimin e një pune e cila faktikisht bëri sikur nisi për afro 10 vjet, por nuk nisi asnjëherë. Sot, kjo rrugë është një premtim i mbajtur për këta banorë, është një tjetër dëshmi e transformimit në qytetin e Tiranës, nga përkushtimi dhe fokusimi i vëmendjes së bashkisë së qytetit, tek nevojat e qytetarëve dhe tek problemet e projektet që përmirësojnë cilësinë e jetës anembanë qytetit” – u shpreh z. Basha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›