E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfundon provimi i Letërsisë, MASH: U zhvillua normalisht

Ka përfunduar pak pas mesditës provimi i parë i Maturës Shtetërore ai i Gjuhës e Letërsisë, të cilit i janë nënshtruar rreth 38 mijë maturantë në të gjithë vendin. Për Zv ministrin e Arsimit Shamata testi është zhvilluar normalisht. 

TIRANE- Më shumë se 38 mijë maturantë kanë dhënë sot provimin e gjuhës dhe të letërsisë, të parin provim të detyrueshëm të Maturës Shtetërore. Shpërndarja e testeve është bërë sipas grafikut të caktuar nga Ministria e Arsimit në të gjithë vendin, ndërsa provimi ka zgjatur rreth 2 orë e gjysëm dhe përfundoi pak pas mesditës. Nxënësit kanë patur përpara tezat e përbëra prej 25 pyetjesh, 13 prej të cilave me alternativë dhe 12 me zhvillim.

Sipas zëvendësministrit të Arsimit Halit Shamata, provimi i parë është zhvilluar normalisht dhe është ndjekur në shkolla të ndryshme nga administratorë pra jo mësues të së njejtës shkollë.

“Provimi parë i detyruar i Maturës Shtetërorë “Gjuha dhe Letërsia” u zhvillua në kushte normale dhe pa probleme. Në këtë provim kanë marrë pjesë 38.499 maturantë të cilët janë testuar në 7 lloje testesh sipas profileve të shkollave. Për administrimin e provimit janë angazhuar 2500 administratorë të cilët të përfshirë në proces bënë mbikëqyrjen në 282 mjedise shkollore të përzgjedhura më parë nga drejtoritë rajonale arsimore”- theksoi Shamata në fjalën e tij gjatë një konference për shtyp.

Testet pritet të korrigjohen brenda 10 ditësh në 4 qendra në Shkodër, Tiranë, Fier edhe Elbasan, ndërsa ministria në faqen e saj në internet do të publokojë censin e provimit me përgjigjet e sakta. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›