Drejtues te njesive te inteligjences ushtarake te NATO-s takohen ne Tirane
Krerët e Inteligjencës Ushtarake të Vendeve Anëtare të NATO-s, takohen në një konferencë në Tiranë. Është hera e parë që një takim i këtij niveli zhvillohet në vendin tonë. Hapjen e punimeve të Konferencës e përshëndeti ministri i Mbrojtjes, Arben Imami. Ai falënderoi organizatorët për besimin dhe mundësinë e organizimit në Tiranë të këtij takimi të rëndësishëm dhe të nivelit më të lartë të inteligjencës ushtarake të NATO-s. Mbështetja me inteligjencë, tha Imami është thelbësore për suksesin e operacioneve aktuale dhe atyre të ardhme në një kohë që fuqia ushtarake po zëvëndësohet me fuqi inteligjence. Inteligjenca ushtarake shqiptare është tashmë pjesë e rëndësishme kontribuese me informacion dhe personel në mbështetjen me inteligjencë të vendimarrjes dhe operacioneve aktuale të NATO-s.