E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfundon rikorrigjimi i letërsisë

17/07/2009  Matura 2009

Dalja e përgjigjeve për ankesat e depozituara për provimin e parë të detyruar të Maturës Shtetërore pritet të bëhet në fillim të javës së ardhshme. Burime zyrtare të Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve kanë bërë të ditur dje se tashmë kanë shkuar drejt përfundimit procedurat e rikorrigjimit të testeve që janë ankimuar. Maturantët që nuk kanë qenë dakord me rezultatet e raundit të parë të regjistrimeve do të paraqiten sërish pranë shkollave të tyre për të parë rezultatin që kanë arritur, pasi një tjetër komision ka bërë rivlerësimin e testit dhe pikëve të ankimuara. Sipas të dhënave të publikuara, për notat e provimit të letërsisë janë depozituar rreth 900 kërkesa për rishikimin e rezultateve. Ndërsa për ankesat e bëra për provimin e matematikës ende nuk ka përfunduar procesi i rivlerësimit. Gjithashtu në fund të javës së ardhshme pritet të publikohen edhe rezultatet e arritura në dy provimet me zgjedhje. Edhe për këto të fundit maturantët që do të mbeten të pakënaqur me rezultatin kanë të drejtë të bëjnë ankimimin e rezultatit, me të njëjtës procedurë siç u veprua për dy provimet e para. Brenda katër ditësh pas shpalljes së notave të pakënaqurit duhet të bëjnë një kërkesë pranë shkollës së tyre të mesme, në të cilën kërkojnë rishikimin e rezultatit. Kostoja financiare e kësaj kërkese kushton rreth 400 lekë vetëm për rishikimin. Për rastet kur nxënësi pas marrjes së kopjes së testit të vlerësuar, atëherë duhet të bëjë një tjetër kërkesë për rishikim, për të cilën duhet të paguajë edhe një tjetër faturë financiare në vlerën e 1200 lekë. Rivlerësimi i testeve për të cilat janë depozituar ankesa, do të bëhet nga një komision tjetër vlerësimi i përzgjedhur në Agjencinë e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve. Bazuar në rregulloren e Maturës Shtetërore, nxjerrja e rezultateve për këto rivlerësime do të bëhet 15 deri 30 ditëve që nga koha kur është kërkuar rishikimi i testeve. Menjëherë sapo të publikohen rezultatet e lëndëve me zgjedhje, do të fillojë procesi i përllogaritjes së komponentëve përbërës të maturës, në bazë të cilave renditen dhe fituesit sipas kuotave të miratuara për çdo program studimi.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›