E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfundon “rruga e kombit”

25/06/2009  Përurohet ndërtimi i autostradës që lidh Durrësin me Kosovën

Kryeministri Berisha, Thaçi dhe Erdogan do të presin shiritin e inaugurimit

Rruga Durrës–Kukës–Morinë, e vlerësuar si “rruga e kombit”, tashmë ka përfunduar. Paraditen e sotme Kryeministri Sali Berisha, homologu i tij kosovar Hashim Thaçi dhe kryeministri turk Taip Erdogan do të përurojnë përfundimin e rrugës gjatë një ceremonie të posaçme, e cila do të organizohet në qytetin e Rrëshenit. Ceremonia do të nisë rreth orën 11:00 me një koncert festiv. Një orë më pas tre krerët e qeverive do të presin shiritin e inaugurimit të kësaj vepre vërtet gjigante, e cila do të lidhë portin e Durrësit me Kosovën. Ndërtimi i rrugës, një ndër premtimet madhore të qeverisë e në mënyrë të veçantë të kreut të saj Berisha, që nisi punimet rreth tre vjet më parë, sot do të bëhet e kalueshme me të gjitha efektet. I gjithë aksi rrugor do të ketë katër korsi, dy vajtje e dy ardhje, e cila do të mundësojë lëvizjen e automjeteve me një shpejtësi relativisht të madhe. Ekspert kanë përllogaritur që shpejtësia maksimale në autostradë të jetë nga 80-100 milometra në orë. Por kryevepra e këtij aksi rrugor mbetet tuneli i Kalimashit, me një gjatësi prej 5.6 kilometra, më i gjati në gjithë Ballkanin e një ndër më të gjatët në Europë. Në këtë aks rrugor janë ndërtuar shumë ura, ku rreth 5 kilometra rrugë është mbi to. Struktura e këtyre urave arrin deri në 80 metra lartësi. Trajektorja e rrugës nis nga porti më i madh aktualisht në vend, ai i Durrësit, kalon në Vorë, më pas në Fushë Krujë, në Milot, Rrëshen, më pas kalon në tunelin gjigant e për të përfunduar në Kukës e më pas në Morinë. “Rruga e kombit” ka një gjatësi prej 170 kilometrash, por një pjesë e saj prej rreth 60 kilometrash nuk u prek, pasi ekzistonte me të gjitha parametrat e nevojshme.

Projekti dhe politika

Ndërtimi i rrugës u financua tërësisht nga fondet e nxjerra nga qeveria shqiptare, nën supervizimin e Bankës Botërore. Shuma e parave të shpenzuara për ndërtimin e kësaj autostrade, duke përfshirë edhe tunelin, sipas shifrave të ofruara nga Ministria e Transporteve, ka mbërritur në 730 milionë euro. Për ndërtimin e rrugës qeveria shqiptare kontraktoi kompaninë amerikane dhe turke “Bechtel & Enka”. Pikërisht ekzistenca e kësaj kompanie, një pjesë e paketës aksionare të së cilës mbahet nga turqit, ka bërë që në ceremoninë e përurimit të kësaj vepre gjigante të marrë pjesë edhe kryeministrit turk Taip Erdogan. Por ndërtimi i kësaj rruge ka shkaktuar një debat të ashpër në politikën shqiptare. Opozita, e në mënyrë të veçantë Partia Socialiste, gjatë këtyre viteve të fundit ka sulmuar qeverinë për shpërdorime fondesh për ndërtimin e saj. Por gjuhës së ashpër të përdorur nga zyrtarë të lartë të pakicës së majtë politike Kryeministri Berisha i është përgjigjur duke theksuar se opozita gjithmonë ka qenë kundër ndërtimit të kësaj rruge, në bazë të interesave të saj antipatriotike. Ndërkohë Prokuroria ngriti një padi për shpërdorime fondesh kundër ministrit të Jashtëm Lulzim Basha, i cili mbante postin e ministrit të Transporteve në kohën e nisjes së punimeve. Por asgjë nuk u provua.

Kohëzgjatja

Rruga e re Durrës–Kukës–Morinë do të shkurtojë në mënyrë shumë të ndejshme kohëzgjatjen e udhëtimit drejt Kosovës. Me ndërtimin e kësaj rruge, do të mjaftojnë 3-4 orë për të gjithë ata që do të udhëtojnë nga Tirana drejt Kosovës. Nëse me të ashtuquajturën rrugë të mëparshme duheshin rreth 10 orë, tashmë aksi i ri shkurton tërësisht udhëtimin.

Tuneli

Më 31 maj Kryeministri Sali Berisha dhe homologu i tij kosovar Hashim Thaçi u takuan në mes të tunelit Thirrë–Kalimash, pjesë e rrugës Durrës–Kukës–Morinë. I vlerësuar si një ndër ndërtimet më të mëdha në Ballkan dhe Europë, tuneli i gjatë 5.6 kilometra shkurton rrugën. Dy tunelet e ndërtuara, vajtje-ardhje, kanë lartësi prej 10 metrash e gjerësi 13 metra secili.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›