E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfundon rruga tek Filanto, Basha: Ky është kontrasti me socialistët

rruga2Tiranë- Kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Bashka, ka inaguruar sot rrugën tek zona e njohur si Filanto e cila lidh rrugën Skënder Jareci deri tek shinat e trenit. Ai deklaroi se pikërisht kjo rrugë tregon ndryshimin mes asaj që po ndodh sot dhe Tiranës që udhëhiqej nga socialistët.

Me përfundimin e rrugës së Filantos sot, është fare i qartë kontrasti midis asaj çka nuk është bërë për 11 vite me radhë dhe asaj që ne po bëjmë brenda një kohe të shkurtër, prej më pak se dy vitesh, por po kaq i qartë është edhe ndryshimi në cilësinë e punës që është bërë shkel e shko në raste të caktuara por që edhe në atë përmasë shkel e shko nuk mbulon as një të pesëdhjetën e nevojave të kësaj lagjeje. Sot, inaugurojmë përfundimin e rrugës këtu, me të gjithë parametrat, duke përfshirë edhe rindërtimin e mureve rrethues, sipas standardit që tashmë kemi vendosur anembanë qytetit u shpreh Basha.

I pyetur në lidhje me ndërtimin e Xhamisë së Madhe, ai tha se socialistët vijojnë të shpërndajnë thashetheme, duke thënë se ata gjatë 11 viteve nuk e bënë dot ndërtimin e saj.

Detashmenti i PS në mediat shqiptare vazhdon të shpërndajë shpifje për këtë çështje. Kompleksi i z. Rama që për 11 vite nuk e bëri Xhaminë, vendosi të mos e bënte Xhaminë ka dalë në sipërfaqe si vaj mbi ujë. Xhamia ka marrë leje nga KKT. Bashkia e Tiranës do e mbështesë Komunitetin Mysliman në çdo fazë, që nga faza e gërmimeve, punimeve të nëndheshme, parkimit e deri tek faza e ndërtimit të Xhamisë dhe këtë nuk e fut dot në thes asnjë, me asnjë lloj shpifje. Janë shpifje totale, të marketuara, të prodhuara nga makina propagandistike e z. Rama që për 11 vjet zgjidhi të mos e ndërtojë Xhaminë dhe që lind nga paragjykimet që ky njeri ka për Komunitetin Mysliman por jo vetëm- tha Basha.

Për gjatë rrugës janë ndërtuar kanalizimet e ujërave të zeza dhe të bardha, është kryer ndriçimi përgjatë gjithë segmentit rrugor, janë mbjellë 60fidanë pemë të llojit rrap. Po ashtu, janë spostuar shtyllat e tensionit si dhe muret rrethues të shtëpive janë zëvendësuar nga kangjellat.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›