Përfundon shkolla e katërt në Pezë, Veliaj: E njëjta cilësi si në qendër të Tiranës

Shkolla e re e rindërtuar pas tërmetit, e cila është shkolla e 4-rt që ndërtohet në Pezë, i bashkohet buqetës së 12 shkollave të reja që çelin dyert këtë vit arsimor.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet ndërsa u shpreh se shkolla e re do të krijojë lehtësi për fëmijët dhe prindërit pasi zgjidh njëherë e mirë udhëtimet e nxënësve me furgona në shkolla të tjera më të largëta.
“Kjo është shkolla e katërt që ndërtojmë në ish-komunën Pezë, e cila dikur me kushtet modeste që kishte, thjesht i mirëmbante shkollat. Duke u bashkuar si njësi administrative e Tiranës, sigurisht, investimet u rritën dhe krejt papritur nga komunë, kjo njësi ka një fuqi më të madhe ekonomike se sa kur mbahej vetëm me taksat e vogla modeste të Pezës. Filozofia e kryeministrit ishte që, fatkeqësinë e tërmetit, ta kthenim në një mundësi të jashtëzakonshme për rindërtim, edhe për të prodhuar realisht xhevahire”, tha Veliaj.
Veliaj nënvizoi se shkollat e ndërtuara në periferi kanë të njëjtën cilësi si ato në qendër të Tiranës.
“Ndonjëherë prindërit thonë: hë mo, se është shkollë në Pezë! Por shkollat “Agron Hysenlliu”, “Myrvete Peza”, “16 shtatori” dhe këtë shkollë i kemi bërë me të njëjtat standarde. Kush e mendonte se në Pajan do të kishte shkollë me ndriçim led, kamera sigurie dhe ashensor? Duke celebruar këtë ndërtesë, celebrojmë edhe këtë mision. Fakti që e kemi ndërtuar pak edhe më të madhe sesa është nevoja, do të thotë se mund të ofrojmë edhe ca shërbime shtesë për kopshte dhe çerdhe. Më vjen mirë që kemi punuar me të njëjtën cilësi si në qendër të Tiranës”, nënvizoi Veliaj.
Shkolla e re është e ndarë në dy korpuse, ku një pjesë i dedikohet parashkollorit me dy klasa mësimore, ndërsa ka edhe pesë klasa mësimore, katër laboratorë dhe një sallë leximi. Krahas terreneve sportive, shkolla ka dhe gjithë infrastrukturën tjetër ndihmëse.
/rtsh.al/