E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfundon takimi mes liderëve politikë dhe delegacionit të KiE

Ka përfunduar takimi në selinë e presidencës mes presidentit Topi kryeministrit Berisha, kreut të opozitës Rama, dhe delegacionit të Këshillit të Europës. Takimi prej 1 orësh e 30 minuta i zhvilluar në presidencë informohet se nuk ka arritur në një zgjidhje për krizën politike në vend.
Sipas informacioneve jo zyrtare komunikimi në takim ka qënë mjaft i zjarrtë por të gjitha palët nuk kanë dhënë asnjë koment lidhur me diskutimet që janë bërë apo nëse kanë arritur një marrëveshje për zgjidhjen e krizës.
Kryeministri Sali Berisha dhe lideri i opozitës Edi Rama janë ulur sërish në tryezë në presidencë me presidentin Topi por këtë herë edhe me pjesëmarrjen e delegacionit të Këshillit të Europës.
Kryeministri Berisha, ishte i shoqëruar nga kryetari i grupit parlamentar demokrat Astrit Patozi dhe lideri socialist Edi Rama ishte i shoqëruar nga kreu i Asamblesë kombëtare, Gramoz Ruçi.
Delegacioni i Asamblesë së Këshillit të Europës është rikthyer në zyrën e kreut të shtetit Bamir Topi për gjetjen e një zgjidhjeje për krizën politike në vend. Ky është takimi i dytë brenda ditës të delegacionit të KiE-së në presidencë por këtë herë në takim së bashku me presidentin Topi janë edhe dy liderët politikë.
Ky takim vjen pas takimeve të mëparshme që delegacioni kreu me kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli, kryeministrin Sali Berisha, dhe së fundi me kreun e opozitës Edi Rama. Në takimin e pasdites pritet të ketë gjëra konkrete sa i takon formulës së zgjidhjes së krizës politike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›