E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Skandaloze, sjellja e shërbimeve informative para tragjedisë së Gërdecit

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, kërkoi gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të analizuar ngjarjen e Gërdecit, se institucionet e pavarura të hetimit duhet të bashkëpunojnë ngushtë me të gjitha institucionet e tjera për të nxjerrë para ligjit fajtorët e ngjarjes së Gërdecit. “Institucioni i Prokurorisë duhet të punojë në mënyrë shumë të pavarur dhe profesionale me qëllim zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje për gjetjen e përgjegjësve të kësaj tragjedie”, tha Topi. Kreu i shtetit, u kërkoi Forcave të Armatosura, Forcave të Ushtrisë, Forcave të Policisë, Forcave të RENEA-s, si dhe Skuadrave të Shpëtimit dhe atyre të Emergjencës Civile, të vazhdojnë punën me më tepër intensitet, në mënyrë që zonës së përfshirë nga tragjedia e ndodhur një javë më parë në Gërdec, t’i rikthehet jeta normale. Presidenti Topi, u shpreh se “tragjedia e Gërdecit nuk duhet të mbetet jetime, ajo ka fajtor, përgjegjës me emra dhe mbiemra dhe për këtë kërkohet një hetim serioz dhe transparent për zbardhjen e kësaj ngjarje të paprecedent”. “Në të njëjtën kohë ne nuk duhet të harrojmë që jemi përpara momentit mjaft të rëndësishëm të anëtarësimit në NATO. Do të ishte e pafalshme për ne, të lejonim që ky proces historik për vendin tonë të komprometohej nga papërgjegjshmëria apo nga veprimtaria e paligjshme e një individi cilido qoftë ai, apo i një zyrtari të korruptuar dhe cilindo që i është kundërvënë interesave kombëtare të Shqipërisë dhe shqiptarëve”, theksoi Presidenti. Sipas tij, duhet t’i dëshmojmë opinionit ndërkombëtar që Shqipëria e meriton NATO-n dhe integrimin euro-atlantik. Gjithashtu, Presidenti Topi kërkoi nga Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura që të paraqesin sa më shpejt rrugëdaljen e mundshme dhe efikase mbi gjendjen problematike, në armatimet dhe municionet në të gjithë territorin e vendit. “Presim nga ky institucion të përgatisin me profesionalizëm të lartë dhe performancë të standartizuar me vendet e NATO-s, programin afatmesëm dhe afatgjatë në lidhje me këtë sfidë shumë të rëndësishme për vendin tonë”, theksoi presidenti Topi. Në këtë drejtim, ai i kërkoi “Ministrisë së Brendshme që të shohë mundësinë për ngritjen e një drejtorie të përgjithshme për mbrojtjen civile, e cila të funksionojë si një institucion koordinues midis të gjitha ministrive, për rastin e fatkeqësive të mëdha”. “Gjithashtu edhe ngritja e një qendre operative të emergjencave civile të kontribuonte në efikasitetin të menaxhimit të krizave”, deklaroi z. Topi.
Në përfundim, Presidenti Topi kërkoi që “të vazhdohet bashkëpunimi i strukturave tona me partnerët ndërkombëtarë, pasi përvoja e tyre është shumë e vyer në kushtet tona”.
Berisha: Ngjarja e Gërdecit mund të krahasohet me 11 shtatorin/Unë e kam krahasuar me 11 shtatorin, jo si pistë terroriste. E kam krahasuar me 11 shtatorin sepse dëmi është jashtëzakonisht i madh, tha dje kryeministri Berisha gjatë një vizite në shtabin e emergjencës të Bashkisë së Vorës. Ne nuk kemi kulla binjake, nuk ka një dëm në njerëz sa ç’kishte aty, por ju them të vërtetën nëse shkollat do të kishin qenë plot, dëmi do të kishte qenë shumë herë më i lartë. E kam quajtur edhe për një arsye tjetër, sepse për këtë fabrikë vdekjeje, ta quajmë ashtu siç është, nuk ka ekzistuar asnjë informacion, po flas për veten si kryeministër, apo për Presidentin e Republikës, as për rrezikun e saj, as për masat që janë marrë aty, as se çfarë bëhej aty, as edhe se ekzistonte. Nuk kam asnjë të dhënë se kemi të bëjmë me pistë terroriste, por aspekte të tjera janë një apel shumë i fuqishëm për të ndërmarrë reforma më të thella. Me gjithë këtë sistem të këtij shteti, që ka shumë e shumë ligje dhe nuk dua ta justifikoj në mënyrë absolute, kjo nuk ka ardhur nga mungesa e ligjeve, por nga mosrespektimi dhe zbatimi i ligjeve. Sistemi duhet të funksionojë edhe mbi bazën e bashkëpunimit dhe të kontrolleve të dyfishta e të shumëfishta. Sistemi duhet të funksionojë në një mënyrë të atillë që kjo situatë të mos përsëritet më. Kësaj here erdhi, le të themi nga një gabim njerëzor, nuk kam të dhëna, është prokuroria që heton, por një herë tjetër mund të vijë edhe nga një shkak i qëllimtë, një herë tjetër mund të vijë nga shumë shkaqe. Çështjet e sigurisë janë çështjet e para për çdo njeri, për çdo qytetar e çdo jetë. Atëherë, gjykoj se janë vetëm reformat shumë të thella të bashkëveprimit, bashkërendimit e koordinimit të veprimtarisë së institucioneve, ato të cilat do të garantojnë integritet të plotë të sistemit të sigurimit të vendit. Unë mbetem totalisht i përkushtuar për këto reforma. Duke kërkuar nxjerrjen e çdo përgjegjësie personale të cilitdo, duke i shprehur besim e mbështetje prokurorisë për punën e saj të pavarur, do të përkushtohem tërësisht për një sistem reformash të thella që të mos lejojmë më kurrë përsëritjen e dramave të tilla. Unë marr për bazë dy gjëra. Nuk them kush e ndezi zjarrin, por disa gjëra i them, se ka patur një dështim të fortë, të një numri të konsiderueshëm institucionesh. Parandalimi i këtij dështimi kërkon reforma shumë të thella, për ndryshe, ju siguroj, do të mund të na rikthehen dhe kjo është më e keqja. Dështimi është në Ministrinë e Mbrojtjes, në Shtabin e Përgjithshëm, në dy shërbimet, në institucionet e tjera të tatimeve, të inspektimit, në shtrimin e informacionit, në sistemin e prokurorisë, sepse ju e keni të qartë se Delijorgji kishte procese, por nuk i hynte ferra në këmbë. Këtu është një problem shumë madhor”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›