E Diel, 1 Nëntor 2026

Mazhoranca: Qëndrimi i opozitës për ngjarjen në Gërdec, primitivitet i politikës së tyre

Mazhoranca i ka bërë thirrje opozitës që të lerë pas shfrytëzimin politikisht të situatave tragjike në vend dhe të bëhet pjesë e nismave të shumicës për kapërcimin e tyre. Në këtë drejtim, shumica parlamentare ka kërkuar edhe mbështetjen e pakicës në parlament për përballimin dhe normalizimin e situatës aktuale në Gërdec. Partia Demokratike ka theksuar edhe njëherë se ngjarja në Gërdec ishte një tragjedi kombëtare, si nga përmasat e jashtëzakonshme, ashtu dhe nga numri i viktimave që humbën jetën, u plagosën apo u traumatizuan, ai vlerësoi operacionet e shpëtimit dhe ato të emergjencës, në përballimin e situatës. Kryetari i grupit parlamentar në PD, Astrit Patozi, deklaroi gjatë seancs plenare se opozita nuk duhet të shfrytëzojë për politikë të tilla situata, por të bëhet palë me mazhorancën për kapërcimin e tyre në një kohë sa më të shkurtër, duke reduktuar si kostot kohore ashtu edhe ato materiale. “Nëse do të kërkohej një ngushëllim, nëse do të gjendej një pikë ku të mbështeteshim për ta bërë më të lehtë dhimbjen, do të ishte lajmi se shteti funksionoi dhe Shqipëria ishte në gjendje të përballonte edhe situata të rënda, si kjo tragjedi”, deklaroi Patozi. Ai vuri në dukje se kjo nuk na e prek ne të drejtën dhe detyrimin për të kërkuar deri në fund përgjegjësinë për atë që ndodhi, sepse jo vetëm nuk mund të kapërdihen lehtë pasojat e tmerrshme të saj, por, nga ana tjetër, në rast se ne nuk ndalemi në çdo detaj të arsyeve që na çuan drejt fatkeqësisë, nuk do të kemi asnjë garanci se raste të tilla të ngjashme nuk do të përsëriten. “Askush nuk ka kërkuar që opozita apo cilido tjetër të heshtë dhe të mos kërkojë hetimin dhe daljen e përgjegjësive. Madje edhe nëse Edi Rama apo ndonjë tjetër mund ta harrojë pas disa ditëve atë që ndodhi në Gërdec, unë si përfaqësues i drejtpërdrejtë i atyre njerëzve të pafajshëm që u masakruan, plagosën dhe humbën shtëpitë nga shpërthimet, do ta kërkoja të vërtetën dhe përgjegjësinë deri në fund, që askush të mos fshihet pas imunitetit të politikanit, pas kapeles së ushtarakut apo pas portofolit të biznesmenit, në rast se është fajtor”, theksoi më tej Patozi, si përfaqësues i kësaj zone në parlament. Duke u ndalur tek pozicionimi i opozitës së majtë, e cila “po mundohet ta përdorë politikisht ngjarjen”, Patozi i cilësoi ato si “qëndrime të pamatura dhe primitive të politikës, në kohë situatash të tilla”. “Është e pafalshme që disa udhëheqës politikë shkojnë vetëm për një minutë e gjysëm në Vorë dhe duke pozuar para kamerave na tregojnë se çfarë duhet të bëjë shteti me qytetarët. Ky është një spekulim i madh, një shfaqje e shpifur e politikës që ushqehet me viktima fatkeqësish”, tha më tej ai. Duke iu rikthyer në retrospektivë qeverisjes socialiste në periudhën 1997–2005, ai u shpreh se shumë ministra të asaj kohe do ta kishin të vështirë, në mos të pamundur të flisnin, sepse jo vetëm nuk kanë mbajtur asnjë përgjegjësi për tragjedi të shkaktuara krejtësisht për faj të ekzekutivit, por janë tallur edhe me zinë dhe vajin e një kombi të tërë. “Ju i latë njerëzit të mbyten më 9 janar, kryeministri juaj vazhdoi pushimet kur studentët kosovarë humbën jetën tragjikisht në aksidentin e tmerrshëm të Fushë-Arrëzit dhe, për fat të keq, të gjithë ju nuk pipëtitë”, theksoi kryetari i grupit parlamentar demokrat, duke iu drejtuar deputetëve socialistë. Mazhoranca parlamentare, i ka kërkuar opozitës që të kërkojë me ngulm për përgjegjësinë e kësaj ngjarjeje, por duhet edhe të përshëndesë qeverinë për masat e menjëhershme që mori, ministrat dhe deputetët që u futën bashkë me forcat speciale në grykën e kraterit të shpërthimit, për të shpëtuar të plagosurit, sepse ushtarakët dhe policët kanë qenë njësoj të motivuar dhe të përgatitur edhe në kohën kur ju drejtonit shtetin. “Pa u penguar në kërkesën e opozitës legjitime për transparencë të plotë dhe hetim, duhet të vlerësonit faktin që çdo qytetar do të kompensohet plotësisht, në përputhje me dëmin që i është shkaktuar, gjë që ju nuk e bëtë kurrë dhe gjë që ndodh për herë të parë në historinë e këtij vendi”, deklaroi Patozi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›