E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tokat e 7501-shit, shtyhet kalimi në pronësi

08/05/2009  Kuvendi do të tentojë të hënën votimin e ndryshimit më të fundit në ligj

Komisionet do të verifikojnë rastet brenda nëntorit, urdhërojnë kryetarët e komunave e bashkive

Kalimi i pronës nga përdorimi në pronësi do të shtyhet deri në fund të këtij viti. Shkak janë vonesat në miratimin në Parlament të propozimit për shtyrjen me gjashtë muaj të së drejtës që kanë prefektët në urdhërimin e kryetarëve të komunave dhe bashkive për të vendosur kalimin në pronësi të pronave. Kështu, edhe pse ka një muaj që Komisioni i Ligjeve ka miratuar propozimin përkatës, në Kuvend nuk është arritur në një votim. Madje, në rast se do të ketë anulim të seancës së datës 11 maj, drafti do të mbetet për në legjislaturën e ardhshme, pasi parlamentarët do të ndërpresin punimet për t’u angazhuar në fushatën elektorale.

Gjithsesi, projektligji parashikon që brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi do të kalojnë në pronësi tokat e mbetura në përdorim. Kjo edhe pas verifikimit të të dhënave për marrjen e pronës nga komisionet përkatëse. Nëse do të rezultojë se subjekti ka përfituar sipërfaqen në përputhje me ligjin, kryetarët e komunës dhe ata të bashkive do të vendosin kalimin në pronësi dhe regjistrimin e kësaj sipërfaqeje në hipotekë. Kështu, në rast se më 11 maj do të votohet drafti përkatës, do të jetë muaji qershor ai që do të shënojë nisjen e realizimit të procesit. Ndërsa përfundimi i tij mbetet deri në fund të muajit nëntor apo fillimi i muajit dhjetor. Në ligjin për verifikimin e titujve të pronësisë në nenin 8 të tij përcaktohen qartë dhe detyrimet që kanë si subjektet në paraqitjen e të dhënave, ashtu dhe detyrimet që kanë komunat e bashkitë në realizimin e procesit.

Burimet nga Ministria e Bujqësisë kanë bërë të ditur se deri tani është realizuar regjistrimi i rreth 80 për qind të pronave. Ndërsa procesi ka ngecur prej vitesh për shkak të neglizhencave apo dhe të përplasjeve të ligjeve. Ndaj ekspertët kanë propozuar një nen të posaçëm, i cili do të përfundojë procesin e ndarjes së sipërfaqeve me ligjin 7501 apo të ndarjes së tokave të ndërmarrjeve bujqësore. Paralelisht me këtë do të vijojë dhe verifikimi i ndarjes së titujve të pronësisë dhe të mbivendosjeve. Kjo si në bashkëpunim me hipotekat, ashtu dhe me vetë denoncimet që do të bëjnë vetë palët e interesuara.

Dështon votimi i pronësisë së trojeve

Në dyert e seancës së Parlamentit shqiptar ka mbetur dhe çështja e heqjes të së drejtës së përdorimit të tokës truall. Kështu, janë rreth 8 mijë familje që nuk kanë mundur të kalojnë sipërfaqen e përfituar në hipotekë, për shkak se ligji ndalon ndarjen e tokës truall. Ndërkohë në kohën kur komisioni i ndarjes së tokës ka vendosur dhënien e sipërfaqes në përputhje me ligjin, vetë bashkitë apo komunat kanë kaluar këto zona në troje, duke i përfshirë brenda zonës së qytetit apo fshatit. Kjo ka ndikuar dhe në bllokimin e kalimit të së drejtës. Ndërkohë që dhe në Kuvend, pavarësisht se projektligji është miratuar në komisionet parlamentare, nuk u arrit asnjëherë miratimi përfundimtar.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›