Përgatitja e tokave për pemët frutore, rritje e sipërfaqes me ullinj në Postribë

Nëntori është periudha ideale për përgatitjen e tokës për pemët frutore. Në njësinë administrative Postribë është vënë re një rritje e ndjeshme e interesit për kultivimin e ullirit. Nga një zonë që 30 vite më parë kishte thuajse zero sipërfaqe të mbjella me ullinj, sot Postriba numëron dhjetëra parcela të kthyera në plantacione të mirë strukturuara.
“Interes të shtuar ka bima e ullirit, tani janë krijuar plantacione me ullinj dhe që japin prodhim”, u shpreh Sherif Brahaj, Specialist i AREB Shkodër.
Fermerët e zonës po investojnë gjithnjë e më shumë në këtë kulturë, e cila jo vetëm i përshtatet klimës së butë mesdhetare të Shkodrës, por garanton edhe prodhim të qëndrueshëm gjatë gjithë vitit. Ulliri kultivohet kryesisht për prodhimin e vajit, ndërsa sasia që sigurohet nga plantacionet aktuale mbulon pothuajse të gjithë nevojat e konsumit vendas në Postribë.
“Kryesisht kemi ullinj për vaj”, tha ai.
Rritja e numrit të ullishtave në Postribë është një shembull i transformimit bujqësor të zonave rurale të Shkodrës, duke i orientuar ato drejt kulturave që sjellin prodhim, cilësi dhe qëndrueshmëri afatgjatë.
Gazetare: M. Gjoni
/rtsh.al/