Masa për parandalimin e përmbytjeve, mbrojtje e re për lumin Kir, ndërhyhet edhe në kolektorin e Tepes

Në lagjen “Tepe”, në qytetin e Shkodrës po ndërhyhet në një tjetër segment të rëndësishëm të lidhur drejtpërdrejt me kolektorin kryesor të kullimit të ujërave të shiut të qytetit. Punimet kanë nisur pranë xhamisë dhe vijojnë përgjatë gjithë kanalit, në të dyja anët, me synim rritjen e kapacitetit dhe funksionimin e sistemit të largimit të ujërave.
“Sa herë binte shi të anët e rrugës u mbushnin me ujë”, u shpreh një banor.
Ndërhyrjet e Ujësjellës–Kanalizimeve janë pjesë e planit për përballimin e reshjeve intensive, duke synuar parandalimin e bllokimeve, përmbytjeve të lokalizuara dhe problemeve të përsëritura që kjo zonë ka hasur prej vitesh.
Ndërkohë Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit Lezhë, në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër, ka nisur një ndërhyrje të rëndësishme për stabilizimin dhe mbrojtjen e segmentit të rrezikuar të lumit Kir, pranë ish Fushës së Druve.
Punimet po vijojnë me sistemimin e bregut, veshjen e skarpatës me gurë masiv përgjatë 380 metrave linearë, si dhe ndërtimin e 13 paneleve mbrojtëse. Ky investim rikthen sigurinë për banesat dhe tokat bujqësore të prekura nga gërryerjet, duke garantuar mbrojtje afatgjatë dhe zhvillim të qëndrueshëm për gjithë zonën.
Gazetar: Mirsad Rakaj
/rtsh.al/