Përgatitjet për Universitetin e Gjilanit kanë filluar

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të drejtorëve, kryetari i Komunës Qemajl Mustafa, informoi këshillin për takimet që ai është duke i zhvilluar këto ditë me profesorët dhe me rektorin e Universitetit të Prishtinës lidhur me përgatitjet paraprake për themelimin e Universitetit Publik të Gjilanit. Përgatitjet po bëhen nga një këshill në të cilin është i përfshirë drejtpërdrejt kryetari i Komunës, profesor aktual në degën e UP-së në Gjilan, përfaqësues nga ministria dhe Rektorati.
Pos tjerash kryetari Mustafa tha se falë investimeve të shumta në hapësirat shkollore dhe falë përfundimit të shkollës së Bujqësisë dhe Gjimnazit të ri, objekti i tanishëm në të cilin janë dy shkolla të mesme së bashku me degët e ndryshme të UP-së, do të jetë i mjaftueshëm për nisjen e funksionimit të UPGj-së, saporon rajonipress.
Këshilli poashtu ka propozuar që drejtimet aktuale që tani janë në Kuadër të UP-së në Gjilan, të vazhdojnë edhe më tutje po me një numër dukshëm më të vogël, ndërsa drejtimet e reja dhe të nevojshme për këtë regjion mendohet të jenë edhe fizioterapia, teknologjia ushqimore, ndërtimtaria, fizika, matematika, Teknologjia Informative, diçka nga drejtimi i arteve, por edhe drejtimi që në Kosovë nuk ekziston, pra ai i planifikimit hapësinor. Lajm të cilin e kanë përshëndetur të gjithë drejtorët, duke uruar që të jetë Universitet vërtet me kushte dhe funksionim larg më të mirë se ai i Prizrenit dhe Pejës./Indeksonline/