E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgatitjet për kongresin, gjithçka gati në PS

24/08/2009  Deri më tani i sigurt është vetëm rikandidimi i Ramës

Nuk përjashtohet mundësia e një tërheqjeje të Malajt në minutën e fundit

Kur nuk ka mbetur as një javë nga zhvillimet e kongresit të Partisë Socialiste, duket se në partinë më të madhe të opozitës gjithçka është gati, për mbledhjen e strukturës më të lartë të saj. Janë lajmëruar delegatët, janë bërë gati platformat që do të paraqiten, ndërsa për sa i përket kandidatëve të shpallur deri më tani, në media, ata janë dy Edi Rama dhe Arben Malaj. Ndërkohë që një kandidaturë e mundshme është dhe Ben Blushi, por deri më ani ky i fundit, ende nuk e ka bërë publike së paku këtë ambicie.

Rama

Shanset që Edi Rama të fitojë garën e kryetarit të PS-së, janë të padiskutueshme, ndaj për këtë arsye dhe kundërshtarët e tij i kërkojnë që të mos rikandidojë. Kjo për shumë arsye. E para, sepse duke dashur të drejtojë partinë me dorë të hekurt, ai rinovoi thuajse të gjitha strukturat e partisë, duke vendosur në to emra të fabrikuar nga ai, në jo pak raste dhe pa kontribut real politik në PS. Zërat e disa krerëve të PS-së si fjala vjen në Shkodër apo në Lushnjë, u shuan pa kumbuar mirë, për një arsye shumë të thjeshtë, u shkarkuan nga asambletë përkatëse. Është një lloj situatë si në vitin 2005, ku një rikandidim i Nanos në PS, nuk do e bënte kurrë të mundur rotacionin brenda kësaj partie. Por vetë Nano pas humbjes së zgjedhjeve, dha dorëheqjen e parevokueshme dhe thuajse u largua nga skena politike e PS-së.

Kandidatët

Në garën politike brenda PS-së janë në lojë dhe Arben Malaj, por edhe Ben Blushi. Ky i fundit ka dalë me një platformë për ndryshimin e statutit, por që pak gjasa ka të miratohet nga kongresi. Kohët e fundit janë vënë re takime mes Malajt dhe Blushit, por në skenë ka hyrë dhe ish lideri i PS-së Nano, i cili ka takuar kandidatin Rama. Burime në PS shprehen se nuk përjashtohet mundësia që t’i jetë kërkuar një tërheqje nga kandidimi, për të dalë më tej me një kandidaturë të vetme në zgjedhjet e PS-së.

Kongresi

Kongresi pritet të mblidhet më 29 gusht, datë kjo e vendosur në asamblenë kombëtare të PS-së. Është kongresi ai që do të miratojë fillimisht kandidaturat dhe më pas zgjedhjet në PS do të bëhen sipas parimit “një anëtar një votë”, metodë kjo e sjellë nga Rama në PS. Në vitin 2005, ish-kryetarja e Komisionit Zgjedhor brenda PS-së, Zamira Çaka, dha dorëheqjen duke akuzuar kandidatin kryesor të garës, Edi Ramën, për manipulim.

Platformat

Në kongres veç të tjerave, pritet të hidhen për diskutim dhe platforma e Blushit, i cili kërkon ndryshime në nene të rëndësishme të statutit të PS-së. Në rast se kongresi do të miratojë këto ndryshime, atëherë Rama është automatikisht jashtë garës për kreun e PS-së. Ndryshimet në statut parashikojnë që në rast humbjeje kryetari i partisë lë detyrën, ose më saktë jep dorëheqjen pa të drejtë rikandidimi.

Debatet

Kongresi i PS-së pritet të sjellë debate të ashpra, mes atyre që janë rreshtuar pro Ramës, dhe atyre që janë rreshtuar në frontin kundër tij. Humbja e PS-së në zgjedhje i faturohet kryesisht atij, dhe mënyrës se si zhvilloi fushatë. Pala që ka dalë në mbrojtje të Ramës, pretendon se PS-ja ka fituar zgjedhjet, duke hedhur tezën e mosnjohjes së tyre dhe lënien fajin aleancës së metës, me qëllim që të justifikojnë Ramën.

Propozimi i kreut të PSD-së

“Qeveri teknike për liberalizimin e vizave”

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, duke këmbëngulur në krijimin e një qeverie teknike me bazë të gjerë, e sheh këtë si një mundësi pozitive për plotësimin nga Shqipëria të dy aspiratave kryesore të saj: liberalizimin e vizave dhe marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtar të Bashkimit Evropian. “Sikur sot të shpallet një qeveri e përbashkët, në bashkëqeverisje me një qeveri teknike për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme me reformat e kryera në mënyrë konsensuale zgjedhore dhe në drejtësi veçanërisht, atëherë menjëherë do të hiqeshin vizat për shqiptarët, menjëherë do të merrej statusi i vendit kandidat dhe kjo do të ishte një fitore për të gjithë më të majtë dhe me të djathtë”, - thekson ai gjatë një prononcimi për mediat. Në vlerësimin e Gjinushit, brenda një periudhe të caktuar kjo qeveri teknike mund të zhvillojë zgjedhje të tjera të përgjithshme, rezultati i të cilave do të pranohet nga të gjitha palët pjesëmarrëse në to, duke korrigjuar njëkohësisht edhe Kodin Elektoral. Partia Socialdemokrate është aleat kryesor i Partisë Socialiste, parti e cila jo vetëm që i humbi zgjedhjet, por nuk fitoi asnjë vend në Kuvendin e ardhshëm të Shqipërisë. Ashtu si edhe partia më e madhe në opozitë, PSD i cilësoi zgjedhjet e manipuluara dhe në mënyrë të vazhdueshme ka kritikuar bashkëqeverisjen mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Duke e cilësuar atë një qeveri jo legjitime, kreu i Partisë Socialdemokrate Gjinushi ka kërkuar qeveri teknike që do të çonte në zgjedhje të parakohshme.

Blushi komenton zhvillimet brenda selisë rozë gjatë një interviste për “Mapo”

“Rama, shkaktari kryesor i humbjes në PS”

Një prej eksponentët kryesorë brenda Partisë Socialiste, njëkohësisht njëri prej kandidatëve të mundshëm për kryetar partie, Ben Blushi gjatë një interviste për revistën “Mapo”, deklaron se debati brenda Partisë Socialiste po shkon në një drejtim të paarsyeshëm dhe të padobishëm. Siç është shprehur vetë përfaqësuesi i selisë rozë, ai ka shpresuar në analizimin e situatës pas zgjedhore, gjë e cila nuk po ndodh, ndërsa ka cilësuar si humbësin e vetëm të zgjedhjeve kryetarin e PS-së, Edi Ramën. “Ditët e para pas 28 qershorit shpresoja se PS-ja do kishte mundësi dhe kurajë të hapte një kapitull të ri për mënyrën se si duhen parë dhe gjetur shkaqet e humbjes. Por, kjo nuk po ndodh. Për shkak të interesave personale të Edi Ramës për t’u rizgjedhur në krye të PS, po dominon një frymë, sipas të cilës nuk duhet folur për humbjen, nuk duhet folur për defektet e PS-së para zgjedhjeve, nuk duhet folur për vendimet e gabuara të kryetarit të PS-së dhe forumeve, pra në përgjithësi nuk duhet folur fare”, - tha Blushi. Ai u rishpreh i bindur për domosdoshmërinë e hapjes dhe vijimit të debatit pas humbjes së zgjedhjeve, për arsyet që e çuan PS-në në këtë pozicion. “Në radhë të parë, ky është një debat emancipues, sepse i jep çdo shqiptari një mikroskop për të parë në mënyrë të imët shkallën e pjekurisë të partive dhe njerëzve që voton. Nuk e di sot se çfarë drejtimi do marrë ky debat, por di se në çdo rast PS do fitojë nga ky proces, ndërsa vetëm një njeri ka për të humbur. Ky është Edi Rama, njeriu që ka turp të pohojë se ka humbur dhe nuk po gjen kurajë të pranojë se kemi humbur kryesisht për shkak të tij”, - vijoi Blushi. Duke sulmuar kryetarin e PS-së, ai thotë se largimi i Ramës është vetëm çështje kohe.

Kundërdeklarata

Braçe: Bode gënjen, arka e shtetit bosh

Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, gjatë një konference për shtyp ka hedhur poshtë deklaratat e një dite më parë të ministrit të Financave, Ridvan Bode, për buxhetin e shtetit. Braçe tha se gjendja e arkës së shtetit në fund të korrikut është thuajse zero. “Kjo boshatisje e arkës së shtetit ndodh kur qeveria ka thelluar deficitin buxhetor, e veçanërisht atë të huaj, i cili ka kaluar planin në 831%. Pra, ka thelluar deficitin e përgjithshëm për 30 ditë të korrikut, me 8.4 mld lekë ose 93.3 mln $ duke e çuar në 39.9 mld lekë të reja në vetëm 7 muaj, kur limiti vjetor i 12 muajve, i përcaktuar në nenin 8 të ligjit është 50 mld lekë. Pra, dhe ky tregues bën të qartë se arka e shtetit është bosh dhe nuk ka gjasë të mbushet as për 5 muajt që vijnë, të cilët do të jenë edhe më të vështirë se kaq”, - theksoi ai. Në deklaratën e tij, ai ka përmendur edhe marrëveshjen PD-LSI për bashkëqeverisje, duke deklaruar se as prania e njeriut antikrizë Ilir Meta, në qeveri, nuk mund të mbushë arkën bosh të shtetit. “Përkundrazi uria e paralajmëruar e shpezëve të tij do të thellojë boshatisjen pra, do të thellojë deficitin buxhetor”, - përfundoi Braçe.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›