E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgënjeshtrim i Drejtorisë së Informimit Publik të Institucionit të Presidentit të Republikës

16 tetor 2011

Nisur nga disa të pavërteta të botuara ditën e sotme në disa gazeta të njohura si proqeveritare, sipas të cilave Presidenti i Republikës është larguar ditën e djeshme nga Stadiumi i Shkodrës pak përpara përfundimit të ndeshjes, Drejtoria e Informimit Publik e Institucionit të Presidentit të Republikës, bën të ditur se këto janë deformime të qëllimshme, që synojnë t’i japin një imazh negativ pritjes jashtëzakonisht të ngrohtë e qytetare që iu rezervua Presidentit të Republikës si kudo, edhe në qytetin e Shkodrës.

Presidenti i Republikës, ishte personaliteti i vetëm që nderoi ditën e djeshme në një ceremoni homazhi, kujtimin e aktorit të paharruar jo vetëm për Shkodrën, por për mbarë Shqipërinë, Ndrek Prela.

I shoqëruar nga miq e dashamirës të shumtë shkodranë, Presidenti Topi ndoqi ndeshjen Vllaznia - Tirana në Stadiumin e qytetit të Shkodrës dhe largimi pak momente para mbarimit të ndeshjes, lidhej vetëm me detyrimin qytetar e institucional për të respektuar përfaqësuesit e familjeve të nderuara shkodrane, të mbledhura për ceremoninë e paralajmëruar të dekorimit të disa personaliteteve të sportit në qytetit e Shkodrës, që janë pikë referimi për çdo brez.

Mirënjohja që iu shpreh Presidentit Topi për vizitën e vlerësimin që dha për figurat e spikatura të sportit, si dhe privilegji i Kryetarit të Shtetit për të qenë së bashku me shumë qytetarë të nderuar të Shkodrës, ishin ndjesitë e përbashkëta që shoqëruan vizitën e djeshme të Presidentit Topi në Shkodër. Asnjë deformim mediatik i porositur në kushtet e një nervozizmi politik, nuk mund ta cënojë këtë realitet, që është krejt i natyrshëm për vetë kulturën e traditën e njohur të Shkodrës.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›