Kryeministri Berisha përshëndet takimin kombëtar të Forumit Rinor të Partisë Demokratike

- Ju ftoj ju, që të ndërmarrim, një fillim të madh, të ri, në mënyrë që të përqendrojmë të gjitha energjitë në një tërheqje masive të rinisë shqiptare drejt qëllimeve, që janë në interesin më të mirë të çdo shqiptari.
Kryeministri Berisha përshëndeti sot, punimet e Forumit Rinor të Partisë Demokratike, të mbledhur ne kuadër te diskutimit të planeve afatshkurtra dhe afatgjata të këtij forumi, të aktiviteteve, organizmit, si dhe të prurjeve të reja në Forum.
Duke falenderuar të rinjtë për ftesën, kryeministri Berisha i përgëzoi dhe falenderoi ata, për punën , përkushtimin dhe kontributin që kanë dhënë dhe japin në përpjekjet e mëdha të Partisë demokratike për arritjen e objektivit “Shqipëria një vend të zhvilluar”.
Kryeministri theksoi se “Shqipëria, vend i zhvilluar” është rruga më e sigurtë e integrimit të Shqipërisë në BE dhe se ky proces është i parikthyeshëm.
Kryeministri kërkoi mirëkuptimin dhe angazhimin e të rinjve në përpjekjet për ta çuar përpara këtë proces, si interesi më mirë i mbarë qytetarëve shqiptarë. “Ne duhet të fillojmë tani një punë shumë serioze, duhet të fillojmë një punë organizative, një punë të një niveli shumë më të lartë se ajo që kemi bërë deri më sot, të një niveli shumë më të kualifikuar. Dhe të shkojmë me seriozitetin më të madhe, duke zbatuar çdo reformë që ndryshon jetën e qytetarëve shqiptarë.” u shpreh kryeministri.
Më pas, kryeministri prezantoi nënkryetaren e re të Forumit, znjsh. Greta Koçi, e mirënjohur nga të rinjtë shqiptare, si një nga zërat e suksesshëm të muzikës shqiptare. Kryeministri shprehu bindjen se besimi i të rinjve si Greta, tek Forumi Rinor I Partisë demokratike ëhstë dëshmi e vlerave të qarta që ky forum mbart, ruan kultivon dhe zhvillon.
Në përshëndetjen e tij, kryeministri u shpreh:
Së pari dëshiroj tu përshëndes shumë përzemërsisht dhe tu falenderoj për ftesën, tu falenderoj për të gjithë punën dhe përkushtimin, kontributin që dhatë dhe që jepni në të gjitha përpjekjet e mëdha të Partisë Demokratike, për shndërrimin e Shqipërisë vend i zhvilluar. Shqipëria vend i zhvilluar është ëndrra më e bukur, më fisnike e të gjithë brezave të shqiptarëve të të gjitha kohërave të cilët sollën në vitet 90, një Shqipëri tmerrësisht të prapambetur, një Shqipëri tmerrësisht të varfër, një Shqipëri tmerrësisht të izoluar.
Në 20 vite, vendi ka bërë kapërcimet më të mëdha në tërë historinë e tij. Në 20 vite Shqipëria kaloi nga njëri prej 3-4 vendeve më të varfra në botë, në grupin e vendeve me të ardhura të mesme, të larta. Shqipëria në të gjithë potencialin e saj, me të gjithë pasuritë e saj, me të gjitha burimet e saj, ka shanse reale, të mëdha, për të kaluar me shpejtësi në grupin e vendeve me të ardhura të larta, çka do të thotë prosperitet, mëkëmbje për qytetaret shqiptarë.
Burimet janë njëra anë, por pasuria absolute e këtij vendi është liria dhe shfrytëzimi i saj, jeni ju, energjitë tuaja, përkushtimi juaj, mendja juaj. Ju faktikisht që po bëni çdo ditë e më shumë të mundur që ora e Shqipërisë të ecë një me orën globale, që Shqipëria të përballojë proceset e globalizimit, proceset e integrimit. Ndaj dhe roli juaj është një rol vendimtar, përcaktues, është një rol që duhet të vijë gjithnjë e më shumë në rritje. Faktikisht ju keni qenë dhe arkitektë e vërtetë të gjithë ndryshimeve të mëdha, ndaj dhe ju ftoj ju, që të ndërmarrim, të kemi një fillim të madh, të ri, në mënyrë që të përqendrojmë të gjitha energjitë në një tërheqje masive të rinisë shqiptare drejt këtyre qëllimeve, qëllime që janë në interesin më të mirë të çdo shqiptari.
Shqipëria, ju jeni vetë dëshmitarë po ecën me ritmet më të shpejta të zhvillimit, por Shqipëria ka nevojë jetike të vrapojë për të kapur kohën e humbur, për të kapur diferencën midis saj dhe vendeve të tjera. Shqipëria, vend i zhvilluar është rruga më e sigurte e integrimit të Shqipërisë në BE dhe ky proces ju garantoj ju, se është i parikthyeshëm. Procesi i integrimit është procesi më jetik për shqiptarët dhe është një proces që kurrë nuk mund të kthehet mbrapa.
E vërteta është që në këtë periudhë ka një bllokim të pamohueshëm dhe ky bllokim vjen se lidershipi socialist ka vendosur të përdorë pushtetin e dhënë nga populli, si në asnjë vend tjetër të Ballkanit dhe të Evropës, për të bllokuar ligjet me tre të pestat. Ju me të drejtë mund të thoni, po mirë pse për kaq na bllokojnë ne? Unë ju them ju, se dhe unë po të isha ndonjëri prej atyre që vendosin për këtë, nuk mund të them se do të merrja vendim tjetër, sepse parë nga sipër kur një forcë kryesore e vendit nuk voton ligjet që kërkohen për integrim , atëherë sa garanci ka që ky është një proces serioz për këtë vend, kur njëra forcë politike i voton dhe tjetra jo. Kur një forcë politike gjen vullnetin për tu ngritur haptas kundër çdo interesi të qytetarit shqiptar, ç’garanci jep ajo në këtë proces? Sepse në rast se vendet e tjera e morën, kështu e mori Mali i Zi, e mori Serbia, e morën të gjitha këto vende sepse nuk kanë një opozitë që kërkon të bllokojë vendin e vet në rrugën e integrimit. Të 12 kërkesat janë që të gjitha për reformën e integrimit. Por ato mund të ishin 40, këto reforma janë interesi më i mirë i shqiptarëve dhe kur tjetri përdor pushtetin, si në asnjë vend tjetër për ti bllokuar pikërisht këto reforma , natyrisht në Bruksel kanë shumë të drejtë të mendojnë se ç’janë këta shqiptarë që veprojnë kundër vetes së tyre.
Lidershipi socialist kërkon të përdorë bojkotin për të marrë peng procesin demokratik, kushtetutshmërinë e vendit, por kjo nuk mund të ndodhë kurrë. Ai vërtetë mund të pengojë tre apo 10 ligje me tre të pestat, por kushtetuta, e cila përbën kontratën e qytetarëve me shtetin, ajo është garancia e çdo qytetari, ndaj dhe qëndrimi ynë është dhe do të mbetet të jemi shumë të hapur karshi tyre, por duke ofruar të gjithë fleksibilitetin për reformën zgjedhore, të gjithë fleksibilitetin për rregulloren parlamentare, në asnjë rast ne nuk do të pranojmë të dhunojmë parimet kushtetuese të vendit, kushtetutshmërinë e vendit. Kushtetutshmëria është risia e demokracisë moderne. Është folur edhe në Greqinë e Lashtë për të drejtat e njeriut, për lirinë e fjalës. Është respektuar liria e besimit dhe më vonë, por shtylla e kushtetutshmërisë përbën një demokraci funksionale, e mbron atë nga aventura dhe aventurierë, e mbron atë, nga nënshtrimi ndaj vullneteve të sëmura dhe kjo është arsyeja që ne jemi të bindur që ky proces nuk mund të kalojë përmes dhunimit të kushtetutës dehe rendit kushtetues.
Qëndrimi ynë është se kjo çështje do të zgjidhet për shqiptarët. Janë bërë përpjekje të jashtëzakonshme për tu zgjidhur nga komuniteti ndërkombëtar. Nuk ka dalë njeri që ti thotë zotit Rama të mos hyjë në parlament. Në mënyrë absolute, në unanimitet i kanë kërkuar merr përsipër përgjegjësitë që të takojnë, por kanë dështuar sepse ky zotëri mbi çdo interes tjetër ka ndjenjat e tij, ndjesitë e tij, ambiciet e tij, ndaj dhe mban një parti të ngrirë jashtë çdo funksioni. Dy vite me radhë, 2 milion here partia e tij shqiptoi termin kuti votimi. Rezultati i saj ishte qw kutitë nuk u hapën se nuk e lejonte ligji, nuk e lejonte kushtetuta. Kushtetuta i ka ndarë pushtetet, aty ku vendos pushteti gjyqësor nuk mund të ndërhyjë pushteti tjetër. Po cili ishte rezultati? Partia socialiste hyri vetë në kuti. Sepse Partia Socialiste kishte një rol shumë të madhe dhe ka një rol shumë të madhe, për të bërë radiografinë e qeverisë çdo ditë dhe çdo javë para shqiptarëve, për të kritikuar, për të qortuar për ta paraqitur alternative, kurse kjo parti u paraqiti shqiptarëve për dy vjet rresht vetëm kutitë. Dhe ngaqë hyri vetë në kuti mori atë që mori në datën 8 maj. Kurrë ndonjëherë nuk ka patur një humbje më katastrofale një opozitë në zgjedhjet lokale me 141 mijë vota , pësoi humbje personale zotëria e tij, një humbje shumë të thellë me 10900 vota, Ishte rinia e Tiranës, ajo që përcaktoi fitoren e zotit Lulzim Basha dhe disfatën e tij. Po shkojmë drejt 2013. Do jenë vetëm shqiptarët që do e zgjidhin këtë. Miqtë kanë bërë përpjekje të jashtëzakonshme për të ndihmuar. Nuk ka patur rezultat. Ai nuk ka dëgjuar, ka vetëm interesin e tij. Mos harroni, Serbia, Mali i Zi , Maqedonia, të gjitha këto e morën. Opozita e tyre nuk mendon kurrë, që të bllokojë ligjet dhe reformat e vendit për tu integruar në Evropë, siç mendon kreu i opozitës shqiptare dhe opozita shqiptare.
Por vendi, nëqoftëse ky, bllokon 5, 6 apo 8 reforma, nuk bllokon dot reformat në tërësi, ka bllokuar 4 ligje, por janë miratuar 400 ligje, të cilat qëndrojnë në bazën dhe në themelet e një zhvillimit të shpejtë të këtij vendi. Ndaj dhe ne duhet të përgatitemi për zgjedhjet e viti 2013 në mënyrë që shqiptarët të mund të zgjidhnin me votën e lirë këtë situatë.
Unë jam i bindur se do ta zgjidhim në mënyrën më të mençur dhe më të shkëlqyer, por kjo kërkon që ne të mos mendojmë kurrë se kemi diçka të dhënë njëherë e mirë. Ne duhet të fillojmë tani një punë shumë serioze, duhet të fillojmë një punë organizative, një punë të një niveli shumë të lartë se ajo që kemi bërë deri më sot, të një niveli shumë më të kualifikuar. Dhe të shkojmë me seriozitetin më të madh, duke zbatuar çdo reformë që ndryshon jetën e qytetarëve shqiptarë. Ne operojmë në Shqipërinë tjetër, një Shqipëri tjetër lëshon shtat nga Jugu në Veri, një Shqipëri tjetër ecën drejt horizonteve të zhvillimit dhe ju jeni vektorët kryesorë të saj.
15/10/2011