E Diel, 1 Nëntor 2026

Flet avokatja: Ja përse Kadare iu drejtua gjykatës

Gjyqi mes Nexhmije Hoxhës dhe Ismail Kadaresë i cili ka akuzuar ish gruan e diktatorit se ajo ja ka vjedhur dorëshkrimin “Dimri i Vetmisë së Madhe”, nuk është zhvilluar ditën e djeshme duke u shtyrë në gjykatën e Tiranës.  Hetuesit e gjykatës së Tiranës nuk kanë arritur të gjejnë adresën e Nexhmije Hoxhës, duke u bërë shkak që seanca e parë përgatitore e gjyqit civil mes ish-bashkëshortes së Enver Hoxhës dhe shkrimtarit Ismail Kadare të dështojë. Hetuesi ka njoftuar gjyqtarin Bledar Abdullai se: Adresën tek ish-ndërmarrja e pularisë, në Laprakë, e verifikova por nuk e gjeta dot.
Flet avokatja e Kadaresë
Nexhmije Hoxha është paditur nga shkrimtari Kadare për dorëshkrimin origjinal të veprës Dimri i Vetmisë së Madhe, ndërkohë që në dalje të proçesit, avokatja Flonja Tashko dha detaje të mëtejshme për Top Channel se përse Kadare iu drejtua gjykatës. Zoti Kadare kërkoi kthimin e dorëshkrimit origjinal të veprës Dimri i Vetmisë së Madhe, që ndodhet në posedim të zonjës Hoxha. Ne, në emër të zotit Kadare, i jemi drejtuar zonjës Hoaxha për të siguruar kthimin, por zonja Hoxha nuk e kthen. Edhe Arkiva e Shtetit dhe Muzeu Kombëtar i janë drejtuar për të kërkuar kthimin e dorëshkrimit origjinal, por nuk ia kanë arritur dot, deklaroi Tashko. Në kërkesë-padinë drejtuar gjykatës thuhet se: E paditura gjatë një vizite në shtëpinë e shkrimtarit konstatoi se shkrimtari kishte një shtëpi të vogël dhe nuk kishte kushtet e duhura për të ruajtur dorëshkrimin. Për këtë arsye ajo i kërkoi shkrimtarit që të vendoste përkohësisht dorëshkrimin në arkivën e partisë, për ta ruajtur nga ndonjë dëmtim i mundshëm. Shkrimtari, vijohet më tej, nuk e kundërshtoi këtë kërkesë dhe pranoi, pasi si mund të kishte kundërshtuar shkrimtari kërkesën e gruas së diktatorit Enver Hoxha dhe një nga njerëzit më të pushtetshëm në Shqipëri, një fjalë e të cilës mjaftonte për të shkatërruar përfundimisht jetën e shkrimtarit dhe familjes së tij.
Kërkesë-padia
Sipas kërkesë-padisë, më 23 nëntor 2010 paditësi i është drejtuar të paditurës me anë të një letre duke i kërkuar kthimin e dorëshkrimit të veprës, por e paditura ka kundërshtuar të kthejë dorëshkrimin, të cilin vazhdon ta mbajë në posedim në mënyrë të paligjshme. Si përfundim, huhet në kërkesë-padi, duke marrë parasysh kërkesat e ngutshme, i kërkojmë gjykatës të urdhërojë inventarizimin e dorëshkrimit origjinal të veprës Dimri i Vetmisë së Madhe, sekuestrimin e tij, si dhe lënien përkohësisht në ruajtje pranë një institucioni të pavarur deri në përfundim të gjykimit. Në konkluzion kërkohet gjithashtu detyrimi i Nexhmije Hoxhës për tia kthyer dorëshkrimin origjinal në posedim të autorit Ismail Kadare, në mënyrë që të rifitojë të gjitha të drejtat e autorit që i takojnë në veprën artistike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›