E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgjigje e shkurtër një justifikimi të gjatë

Mbi të drejtën e autorit dhe plagjiaturën


Në replikën e tyre kundër shkrimit tim "Plagjiatura e dytë" - ku unë provoja me fakte përvetësimin e paturpshëm nga ana e N. Varfit dhe e V.Z. Bakillarit të shumë shprehjeve shqipe nga fjalorët e tim eti, Vedat Kokona - zotërinjtë në fjalë, me një ironi të trashë, pretendojnë se unë po fus hundët kudo, pra, edhe në fjalorthin e tyre.


Sigurisht që po veproj siç thonë ata, sepse ata kanë futur të parët hundët e tyre në fjalorët e tim eti dhe unë nuk mund të mos mbroj pronën intelektuale të këtij të fundit. Së dyti, ata i anashkalojnë statistikat e mia lidhur me përvetësimin e tyre të paturpshëm duke pretenduar se "merren me punë dhe nuk e vrasin kohën duke numëruar mizat". Harrojnë ata se statistikat janë shifra dhe shifrat janë kokëforta, harrojnë ata se ka sot në Shqipëri e kudo gjetiu institute e qendra statistikash, puna e të cilave nuk është aspak vrasje mizash.


Së treti, ata sjellin shembuj që dëshmojnë, shkruajnë ata, se në fjalorthin e tyre, përbri shprehjeve frënge figurojnë, përveç një ose dy shprehjeve marrë nga fjalorët e tim eti, edhe shumë shprehje që nuk janë atje: p.sh., sipas tyre, shprehjen "trouver à qui parler", në fjalorin e tij, V. Kokona e përkthen me "gjen ustai ustanë, HAS SHARRA NË GOZHDË", kurse në fjalorthin e tyre ajo është përkthyer me "bie në usta, gjej ustanë, më HAS SHARRA NË GOZHDË, më bie sëpata në gur, më ngec plori, më ngec veza kryq". Siç mund të shihet, ata bien kokë e këmbë brenda duke e pranuar përvetësimin e tyre të paturpshëm të përkthimit vedatian "has sharra në gozhdë", të cilit, në fjalorthin e tyre, i kanë vënë përpara vetëm fjalëzën "më"! Njësoj si dikushi që, ndonëse kishte nëntë palë këpucë të vetat, vajti e i vodhi komshiut një palë të tjera duke u ndërruar vetëm lidhëset për të fshehur vjedhjen e tij!


Nga ana tjetër, zotërinjtë në fjalë, pretendojnë se gjuha frënge, sipas meje, na qenka përfshirë te fjalori i babait tim dhe se, përveç tij, nuk i lejohet askujt që të shkelë në atë terren.


Kjo është thjesht shpifje se asnjëherë nuk e kam shkruar apo thënë një gjë të tillë, por zotërinjtë e lartpërmendur nuk qenkan as gjuhëtarë as thjesht pedagogë të frëngjishtes: nuk e ditkan ata vallë se një gjuhë nuk mund të përfshihet në asnjë fjalor, as në të Vedat Kokonës dhe as në të tyrin, në asnjë gramatikë, sepse leksiku, sintaksa, kombinimet morfosintaksore, frazeologjia, stilet, shtresimet ligjërimore, figuracioni janë të pafund, dhe kjo është një ndër të parat gjëra që më ka mësuar pikërisht im atë!
Zotërinjtë në fjalë pretendojnë se unë paskam sejmenë. Me sa di unë, sejmenë kanë vetëm të fuqishmit, njerëzit me pozitë ose të korruptuarit e mafiozët, kurse pensionistët si puna ime kanë shokë e miq, jo shumë, por të besës, ama!


Pra, sejmenë mund të ketë ose ka ndoshta vetë N. Varfi si zv/rektor që është, sejmenë ose "zezakë" të bardhë!
Gjithsesi, kur njeriu e bën veten të përvetësojë pronën e tjetrit, përpiqet të paktën ta bëjë me mjeshtri, jo si zotërinjtë në fjalë që, tek kanë marrë nga fjalorët e tim eti shprehjen "i jap një surup të mirë (dikujt)" për ta kallur në fjalorthin e tyre, kanë pandehur se im atë ka bërë ndonjë gabim drejtshkrimor te fjala "surup", prandaj edhe e kanë "korrigjuar" dy herë, në fjalorthin e tyre, kuptohet, duke e shkruar "shurup", sepse nuk e dinin, qyqarët, se shprehja e lartpërmendur është tipike për të folmen gjirokastrite! Por, ngaqë besoj edhe në drejtësinë hyjnore, edhe në atë njerëzore, shpresoj se një ditë dikush do t'u japë një SURUP zotërinjve në fjalë për mëkatin e tyre!


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›