Mjeku: vizitova një njeri të zhveshur në Vainë
Administrohet dëshmia e doktorit që dyshohet se vizitoi Remzi Hoxhën në bazën e SHIK-ut në Lezhë
TIRANË- Prokurori i çështjes në ngarkim të të pandehurve, të akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, si dhe rrëmbimin e torturimin e Ziso Kristopullit e Avdyl Loshajt, lexoi dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda, deklarimet e ish- mjekut të Vainës, si dhe të paraardhësit të Sefgjinit në SHIK-un e Tiranës.
Ylli Xhaxhika, mësohet t'iu ketë pohuar prokurorëve se: "Në fund të vitit 1995 kemi qenë me zyra poshtë Shkollës së Bashkuar, afër spitaleve.
Aty më morën disa punonjës të SHIK-ut me makinë dhe u nisëm në në Lezhë, në një vilë. U futa në një dhomë të asaj vile, ku ishte një krevat i vetëm, dhe ishte një person, i zhveshur në të brendshme, i palarë, i ri, të cilin e kishte shoqëruar SHIK-u. Pasi e pastruan i veshën një palë pizhame.
Kur e vizitova pashë që në fund të barkut kishte një shenjë operacioni të vjetër. Kishte debulesë, pasi gjendja fizike ishte rënduar. I dhashë si mjekim disa ilaçe, që nuk e di se kush ia bleu.
Tek vila kishte persona që nuk i njihja dhe më pas u largova,- mësohet të ketë thënë para prokurorisë mjeku Ylli Xhaxhika, gjatë deklarimeve të tij më 27 maj të vitit 2003. Xhaxhika ndërroi jetë pak ditë përpara seancës së mëparshme kështu që nuk mundi të dëshmonte në Gjykatë.
Në fund të deklarimeve të tij, dëshmitari shpjegonte se nuk e dinte se kush ishte personi që kishte mjekuar për arsye se e kishin urdhëruar gjatë rrugës që të mos pyeste për asgjë. Sipas tij, personi që ngiste makinën duhet të ishte ndonjë shef për nga mënyra sesi ai jepte urdhra e fliste.
Ndërkohë dëshmitari Mehmet Hoxholli në dëshminë e tij pranë hetuesve bënte me dije se në vitet 1993-'95 kishte punuar si nëndrejtor në bazën e SHIK-ut Tiranë, në vitet 1995-'96, drejtor i saj, ndërsa në vitin 1997 doli në lirim. Në deklarimet e tij Hoxholli ka dhënë shpjegime në lidhje me funksionimin e SHIK-ut.
Dëshmitari ka sqaruar se nuk ka pasur informacion për rrëmbimin Remzi Hoxhës. Po ashtu Hoxholli shpjegoi se nuk kishte dijeni që Avni Koldashi kishte shkuar në Sarandë dhe kishte shoqëruar Ziso Kristopulin, apo për hedhjen nga kati i tretë të Avdyl Loshajt.
Ai ka pohuar se me shoqërimet merrej shefi i vëzhgimit, Arben Sefgjini, ndërsa vihej edhe ai në dijeni. Në fund të dëshmisë së tij Mehmet Hoxholli shpjegonte se SHIK-u mund t'i bënte kërkesa të veçanta Ministrisë së Brendshme, ku i kërkonte targa civile të cilat përdoreshin për operacione të veçanta.
Dorëzohen pyetjet për Loshajn e keqtrajtuar nga SHIK
Prokurori Xhevat Hana, përfaqësuesi i akuzës në procesin penal ndaj tre ish-SHIK-asve të akuzuar për rrëmbim e torturimin e Ziso Kristopulit, Avdyl Loshajt si dhe të zhdukurit Remzi Hoxha, i dorëzoi Gjykatës 33 pyetjet drejtuar viktimës së këtij rrëmbimi Avdyl Loshaj.
Këto pyetje do t'i dërgohen në ditët në vazhdim me anë të letër-porosisë autoriteteve holandeze që do të marrin në pyetje Loshajn, për llogari të Gjykatës së Krimeve të Rënda. 33 pyetjet e dorëzuara në gjykatë, konsistonin në njohjen e tij me Remzi Hoxhën, Ziso Kristopulin, për ndonjë ngjarje që mund t'i ketë ndodhur dëshmitarit, për ndonjë aktivitet kriminal në dëm të shtetit tonë etj.
Pas leximit të të pyetjeve, avokati i të pandehurit Avni Koldashi lexoi dy pyetje të klientit të tij drejtuar Loshajt. Atë të njohjes mes tyre dhe ndonjë akuze të mundshme që kishte karshi tij. Avokatët e Ilir Kumbaros kërkuan nga gjykata të jenë prezent gjatë ekzekutimit të letër-porosisë për të bërë edhe ata pyetjet e tyre.