Meta - Rama shtrëngojnë duart. Topi: Duhet dialog politik
Shtrëngimi formal i duarve mes dy ish-aleatëve ka sjellë edhe reagimin e Robert Borch dhe Presidentit Bamir Topi,
TIRANË - Ndasitë e mëdha politike, që i kanë pozicionuar në dy fronte përballë njëri - tjetrit, nuk i kanë penguar ish-aleatët politikë, kreun socialist Edi Rama dhe kreun e LSI-së, Ilir Meta, që të shtrëngojnë duart mes tyre.
Ka qenë kreu i LSI-së Meta, sot në pozicionin edhe të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm në qeverinë "Berisha" ai që është përpjekur të bëj show mediatik, duke i shtrirë dorën kundërshtarit të tij politik, Edi Rama, dje gjatë seminarit ndërkombëtar "Sfida dhe zgjidhje për bashkëjetesën fetare në rajonin e Mesdheut" të organizuar nga Fondacioni "Anna Lindh" i përfaqësuar nga Drejtori Ekzekutiv, Andre Klaret, në bashkëpunim me Forumin Shqiptar për Aleancën e Qytetërimeve, i përfaqësuar nga Presidenti i këtij Forumi, ish-deputeti demokrat Besnik Mustafaj. Zëvendëskryeministri, porsa ka hyre në sallë, ka takuar me radhë krerët e komuniteteve fetare në vend dhe më pas i është drejtuar Ramës, i cili kishte zënë vend në panelin e referuesve të këtij seminari, për t'i drejtuar një përshëndetje kortezie edhe kundërshtarit të tij, dikur aleat.
Gjest ky, që ka marrë të njëjtën përgjigje nga kreu socialist, i cili po ashtu për kortezi ka pranuar të takojë ish-aleatin e vet, duke ngjallur kështu besimin te të ftuarit se ky moment do të shërbente edhe si pikënisje e një zbutjeje të marrëdhënieve, jo vetëm personale të dy politikanëve protagonistë, por edhe mes mazhorancës dhe opozitës. Por më kot, pasi çdo gjë ka mbetur me kaq, dhe dy kundërshtarët politikë kanë zënë skajet ekstreme të tryezës së referuesve, duke mos shkëmbyer më asnjë mesazh mes tyre.
Madje edhe në fjalën që ata mbajtën gjatë referimeve të tyre, lidhur me çështjen e harmonisë fetare të popujve të Ballkanit, ata kanë folur për vlerat pozitive që e karakterizon popullin shqiptar në këtë drejtim, por pa përmendur në asnjë rast nevojën, që një vlerë e tillë të reflektojë edhe në marrëdhëniet politike në vend.
Megjithatë, një veprim i tillë është parë me interes nga të pranishmit e tjerë, përfshi këtu edhe kreun e përfaqësisë së OSBE-së në Tiranë, Robert Borch dhe kreun e shtetit, Bamir Topi, të cilët nisur pikërisht nga ky shtrëngim i ftohtë duarsh të të dy kundërshtarëve politikë, kanë vlerësuar nevojën që politika të mësojë nga harmonia fetare. "Mendoj se kjo ishte një iniciativë shumë e mirë.
Të flasësh me njëri- tjetrin, është gjithnjë shumë mirë, veçanërisht në këtë rast, kur bëhet fjalë për dialogun ndërfetar. Por edhe për dialogun politik mund të ndiqet i njëjti shembull.
Fakti që zoti Meta dhe zoti Rama u ulën në një tryezë, është një hap i parë shumë i rëndësishëm. Por, do të ishte akoma më mirë që të kishte të tjera tryeza të rrumbullakëta si kjo, për të kapërcyer vështirësitë e momentit", - tha Bosh.
Ndërsa, Presidenti i Republikës, Bamir Topi,
nuk ka nguruar të shprehet i drejtpërdrejtë, duke theksuar nevojën që ka vendi për dialog politik. I pyetur nga mediat e pranishme, nëse harmonia fetare duhet të reflektohet edhe në harmoni e dialog politik, Presidenti Topi u përgjigj: "gjithmonë e kam thënë këtë, jo të kundërtën.
Edhe brenda fjalës sime, ndonëse konteksti ishte për çështjen e harmonisë fetare, u përdorën ligjërata edhe për nevojën e dialogut politik". Ndërsa në përgjigje të pyetjes se nëse një shtrëngim duarsh mjafton për të ulur gjakrat në vendin tonë, kreu i shtetit u shpreh: "shtrëngimi i duarve është një moment formal, i domosdoshëm, por çështja duhet të shkojë më tej se sa ana sipërfaqësore, duhet të shkojë në substancë dhe kjo është në konstitucionin shpirtëror të çdo njeriu".