E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgjigjja e Parteshit

Parteshi tashmë është komuna më e re e Kosovës, sipas Pakos së Martti Ahtissarit.
Banorët e fshatrave Budrigë, Pasjan dhe Partesh, të dielën, ishin mobilizuar si asnjëherë më parë për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të organizuara nga Republika e Kosovës.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror Zgjedhor dhe Koalicionit të OJQ’ve “Demokracia në Veprim”, 65.34 përqind e banorëve me të drejtë vote kanë dalë për të votuar të preferuarit e tyre për Asamblenë Komunale dhe për të zgjedhur Kryetarin që do t’i qeverisë në mandatin katërvjeçar.

Procesi zgjedhor në këtë komunë të re është mbyllur pa asnjë incident.

Ambasadori amerikan, Christopher Dell, të dielën, tërë ditën ka qëndruar në Partesh dhe i ka vizituar të tri qendrat e votimit, duke marrë kështu pjesë për disa çaste edhe në procesin e numërimit të votave.

Diplomati amerikan e ka vlerësuar shumë lart këtë proces zgjedhor, duke thënë se numri i madh i votuesve në Partesh dëshmon për implementim të suksesshëm të procesit të decentralizimit në Kosovë.

Sipas Dellit, dalja e serbëve në masë të madhe në këto zgjedhje do të ndikojë në përmirësimin e jetës së tyre.

“Nga kjo që kam parë duket se kemi pasur sukses të madh. Kur kemi biseduar me njerëzit këtu, ata e kanë kuptuar se me anë të këtyre zgjedhjeve, çështjet do të merren nga niveli qendror dhe do të sillen në nivel lokal”, ka thënë Dell.

Edhe Ismet Kryeziu nga “Demokracia në Veprim” e ka vlerësuar procesin e votimeve në Partesh si proces të rregullt dhe me dalje të madhe të qytetarëve për të votuar, duke bërë të ditur se deri në orën 17:00, kanë votuar rreth 58 për qind e atyre që kanë të drejtë vote.

Duke iu referuar interesimit të qytetarëve për të votuar, Kryeziu tha se ky është një sinjal i mirë për demokracinë në vend dhe për integrimin e pakicave në Kosovë.
Sipas tij, Parteshi është një tregim i suksesshëm i procesit të decentralizimit, përkatësisht i krijimit të komunave të reja në Kosovë.

Banorët e Parteshit janë shprehur të dielën optimistë se këto zgjedhje do të sjellin perspektivë për ta. Ata shpresojnë se krijimi i komunës së re do të sjellë me vete edhe investime, sidomos në sektorin e bujqësisë.

Dobrivoje Jovanovic, arsimtar i pensionuar, ka thënë për Kosovapress se ka votuar me shpresën se gjërat do të lëvizin pozitivisht pas krijimit të Komunës së re të Parteshit, sidomos në sektorin e bujqësisë dhe në hapjen e vendeve të reja të punës.
Ndërsa, Zoran Stevic, ka thënë se komuna e re do të krijojë ambient më të mirë për zhvillim në të gjitha aspektet, sidomos për perspektivën e të rinjve.

Për 15 ulëset në Kuvendin Komunal të Parteshit kanë garuar 4 iniciativa qytetare serbe si dhe një parti politike, me gjithsej 81 kandidatë, derisa në garë për Kryetar komune ishin katër kandidatë - Nenad Cvetkovic, Goran Milosevic, Todor Mirkovic dhe Vesna Jovanovic.

S’ka tjetër alternativë

Presidenti Fatmir Sejdiu ka deklaruar të dielën se zgjedhjet në Partesh u kanë ndihmuar serbëve për t’iu kthyer realitetit praktik dhe perspektivës në shtetin e përbashkët.

“Ne do të bëjmë përgatitjet më të mira dhe ecje që të ketë organizim në zbatimin e projektit Ahtisaari. Alternativë tjetër nuk ka, është alternativa e punës së përbashkët për zhvillimin e demokracisë dhe të ardhmes së përbashkët”, ka thënë Sejdiu.

Kryeministri Hashim Thaçi, ndërkaq, ka thënë se zgjedhjet e suksesshme në Partesh janë tregues i qartë se Kosova është në fazën e përmbylljes së procesit të pavarësisë së mbikëqyrur, pasi që, siç tha ai, suksesshëm po implementohet Plani i Ahtisaarit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›