Uidhers i jep imunitet Kryeprokurores Ka pasur presione nga dy krahët e politikës

Ambasadori i SHBA-së në vendin tonë, Xhon Uidhers, vlerëson maksimalisht punën Prokurorisë së Përgjithshme, ndërsa vë në dukje se Kryeprokurorja Ina Rama vazhdimisht është gjendur nën presion politik si nga mazhoranca dhe opozita. Deklarata është bërë në Prokurorinë e Tiranës, në një seminar me prokurorë nga Shqipëria dhe Mali i Zi për luftën ndaj korrupsionit. Ai tha se “Kryeprokurorja punon me përkushtim”. “është kënaqësia ime që të jem në krah Prokurores Rama, pasi ajo ka shfaqur përkushtim dhe angazhim në ruajtjen e pavarësisë dhe integritetit të institucionit që drejton. Ajo e ka ruajtur këtë pavarësi me profesionalizëm dhe përkushtim ndaj ligjit dhe parimeve, duke fituar respektin e bashkëkombësve të saj, ashtu si edhe të ne të huajve, që e njohim atë mirë”, u shpreh Uidhers, duke shtuar se ajo e ka bërë këtë duke u përballur me shumë pengesa.
“Ka pasur presion politik ndaj saj, nga të dyja anët e spektrit politik, ka pasur artikuj në shtyp, të cilët janë munduar ta kritikojnë atë thjesht sepse ka kryer punën e saj ashtu si duhej bërë, ka pasur pengesa ligjore si statuse të dyshimta imuniteti, të cilat e kanë bërë ushtrimin e detyrës së saj më komplekse, të gjitha këto me qëllimin për ta bërë atë të anojë nga një kah apo një tjetër i palëve politike”, deklaroi ambasadori amerikan Uidhers. Ai shtoi se në çdo shtet, roli i Prokurores së Përgjithshme është shumë kompleks dhe i vështirë, e si i tillë, kërkon këmbëngulje, parime të përpikta dhe përkushtim të vendosur ndaj pavarësisë.
“Unë e përgëzoj prokuroren Rama, pasi ajo ka ditur të ruajë standardet më të larta të profesionalizmit dhe përkushtimit ndaj punës së saj, ndërsa është përballur me këto vështirësi”, pohoi më tej Uidhers, ndërsa foli mbi luftën kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit me disa nga anëtarët e Njësisë Hetimore të Përbashkët të Tiranës. Duke iu drejtuar prokurorëve malazezë, ambasadori tha se njësia hetimore është një model bashkëpunimi ndërmjet prokurorëve, policisë dhe agjencive të tjera që bëjnë pjesë në këtë bashkësi. “Ata duhen përgëzuar për punën e tyre të madhe, për bashkëpunimin, për kurajën që kanë pasur ndërsa janë përballur me vështirësitë dhe duke moslejuar që presionet jashtme të ndikojnë në punën e rëndësishme që ata bëjnë”. shtoi ambasadori, duke vijuar se prokurorët duhet të mbeten të pavarur dhe të lirë ndaj çdo ndikimi apo detyrimi politik.
Ambasadori tha se prokurorët kanë për detyrë të ndjekin faktet kudo që ato mund t’i çojnë, ndërsa saktësoi se kjo nuk është e lehtë, pasi kërkon përkushtim të jashtëzakonshëm. “Lufta kundër korrupsionit është një sfidë e ndjekjes së parave, pasi që korrupsioni dhe krimi i organizuar të lulëzojnë, paratë duhet të ndërrojnë pronarë. çdonjëri prej jush, shqiptarë dhe malazezë, keni mundësinë për të punuar së bashku, për të çuar përpara drejtësisë ata njerëz që përpiqen të fshehin apo legjitimojnë paratë e fituara ilegalisht. Duke ndjekur paratë, ju do të gjeni kriminelët. Nëse ju, duke ditur se çfarë ju pret, do të mund t’u paraprini këtyre pengesave, atëherë do të jeni në gjendje që t’i trajtoni këto çështje përpara se të kthehen në problem për punën tuaj”, pohoi ambasadori Uidhers. Ai e mbylli fjalën e tij duke thënë se “230 vjet më parë, një burrë i mençur, Presidenti i dytë i Shteteve të Bashkuara, Xhon Adams, tha: ‘Dinjiteti dhe qëndrueshmëria e qeverisë, në të gjitha degët e saj, morali i popullit dhe çdo bekim i shoqërisë, varet nga administrimi i drejtë dhe i aftë i drejtësisë’”.
#