E Diel, 1 Nëntor 2026

Fratini: Dilemat për ngritjen e centralit bërthamor

TIRANE- Italia ende nuk ka një vendim konkret se ku mund të ndërtohet centrali bërthamor, një projekt ky i lancuar shpesh edhe nga autoritetet më të larta në Shqipëri. Ministri i Jashtëm italian Franko Fratini gjatë një seminari për „skenarët e zhvillimit të rajonit përreth Adriatikut dhe Ballkanit”,tha se ka hyrë në bisedime konkrete me disa vende ku përfshihet dhe Shqipëria. Fratini iu përgjigj interesimit të medias për këtë cështje. Ndërsa konfirmoi angazhimin e qeverisë italiane dhe synimin e saj për të vazhduar në rrugën e projekteve bërthamore dhe të kontribojë në zhvillimin e këtij sektori edhe në vendet fqinje të Ballkanit sic është Shqipëria. 

“Qeveria italiane është e prirur për të forcuar marrëdhëniet me vendet fqinje në mënyrë që të krijojë një rrjet të gjerë transporti që do të përmirësojë komunikimin midis vendeve“ - u shpreh ministri i Jashtëm italian.
"Zhvillimi i Adriatikut dhe Ballkanit - vazhdoi ai - është një prioritet i politikës së qeverisë. Ne po ndërtojmë një rrjet bashkëpunimi mes të gjitha vendeve në Adriatik dhe Ballkan në përputhje me politikën ndërkombëtare dhe nevojat e komunitetit“- shtoi Fratini. Ministri Jashtëm italian konfirmon se qeveria e tij po zhvillon negociata me Shqipërinë dhe Slloveninë për ndërtimin e këtij centrali.

Hartimi i projektit për centralin bërthamor, zbatimi dhe më pas operimi i tij, kërkojnë fonde dhe kohë të mjaftueshme. Kryeministri Berisha shpesh ka artikuluar nevojën e këtij projekti, ndrëkohë që i vetmi hap konkret i ndërmarrë deri tani nga qeveria shqiptare është ngritja e agjencisë kombëtare bërthamore.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›