E Diel, 1 Nëntor 2026

Greva e urisë, shkon në katër numri i minatorëve në gjendje të rëndë

Ditën e sotme minatorët kanë paralajmëruar se do të protestojnë së bashku me fëmijët, duke bllokuar edhe rrugën kombëtare

BULQIZË Tashmë kanë kaluar tetë ditë kur 10 minatorë të Bulqizës rihynë në një tjetër grevë urie, duke kërkuar zgjidhjen e disa kërkesave të tyre ekonomike. Katër nga dhjetë minatorët kanë paraqitur probleme me shëndetin, madje mjekët janë shprehur se ata duhet të shtrohen në spital, por grevistët nuk e kanë pranuar një gjë të tillë. Vendi ku po zhvillohet greva është një ndërtesë e marrë me qira afër kompanisë ACR, nga ku minatorët shprehen se do dalin vetëm me përmbushjen e kërkesave të tyre. Ndërkohë, minatorë të tjerë vazhdojnë mbështetjen pranë portë së ACR-së ndërsa për nesër kanë paralajmëruar zhvillime të reja. Minatorët pritet të protestojnë sot së bashku me fëmijët e tyre, duke mos i dërguar në shkollë. Ata kanë paralajmëruar se do të bllokojnë edhe rrugën nacionale, me qëllim që përfaqësuesit e ACR të reagojnë sa më shpejt në zgjidhjen e situatës.

Kërkesat

Dy javë më parë Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë përgatiti një draft marrëveshje me firmën e huaj, por ajo ende nuk nënshkruhet, pasi pronarët e ACR-së nuk pranojnë dy nga 12 kërkesat e minatorëve, largimin e drejtorit të minierës, Medat Zogu, dhe të paguhen 82 ditët e protestave dhe grevës së urisë. Madje, KSSH deklaron se ditën që do të nënshkruhet marrëveshja ata do t’i rikthehen punës në minierë. Ndërkohë, konfederata i ka kërkuar kompanisë ACR të marrë përsipër: Punëdhënësi ACR në zbatim të marrëveshjes koncesionare të datës 12.04.2001 miratuar nga Parlamenti shqiptar me Ligjin 7691 datë 12.05.2011, të marrë përsipër kryerjen e investimeve për zhvillimin dhe hapjen e perspektivës së minierës, kryesisht nga niveli 16 deri në nivelin 21, në përputhje të plotë me Nenin 3 (Kriteret specifike të punimeve) të kësaj kontrate, si edhe në zbatim të plotë të grafikëve të rinegociuar me METE-n si një detyrim ligjor i cili sjell përmirësim të kushteve e të sigurisë në punë, rritje rendimenti në punë, përmirësim e rinovim teknologjik të mjeteve të punës, paga më të larta e benefite të tjera për punonjësit. Në çdo gjashtë muaj, punëdhënësi dhe punëmarrësi do të bëjnë transparencën e kryerjes së këtyre investimeve. Duke filluar nga data 1 korrik 2011, punëdhënësi ACR të kryeje rritjen e pagës neto me 20%. Paga sot nuk reflekton rritjen e kostos së jetesës, pasi rritja e fundit është bërë para tre vitesh. Në këto tre vite nuk është kryer as riindeksimi vjetor i inflacionit, as nuk është ruajtur regjimi juridik i rritjes vjetore të pagave në përputhje me rritjen ekonomike vjetore. Të nisur nga situata e krijuar nga ky konflikt social, i cili ka një burim të vetëm, që është paaftësia menaxhuese dhe drejtuese e menaxherit të ACR në Bulqizë, z. Medat Zogu, punëdhënësi merr përsipër dorëheqjen apo largimin e tij nga ky funksion. Largimi i këtij administratori do të rindërtojë urat e bashkëpunimit dhe komunikimit ndërmjet minatorëve dhe ACR-së, do të rrisë besimin reciprok dhe do të krijojë terren pozitiv për paqe të qëndrueshme sociale e për kryerjen e një reforme profesionale, si të domosdoshme në të gjithë personelin administrative e teknik të minierës. PAJTIM HASA

Përplasja

Drejtori i minierës dhe paga,

dy pikat e padiskutueshme

Ndërsa rreth 100 punonjës, të cilët janë caktuar nga Sindikata për të mbajtur minierën pasi ajo u braktis për një muaj nga administrata e saj, të paguhen me pagën mujore bruto. Të dyja palët zotohen që në të ardhmen do të bashkëpunojnë dhe shkëmbejnë informacion të plotë dhe punonjësit që organizuan dhe drejtuan grevën si dhe morën pjesë në grevë, nuk do të kenë asnjë konsekuencë negative për pjesëmarrjen e tyre në grevë nga ana e punëdhënësit. Kjo akt marrëveshje, pasi të nënshkruhet nga të dyja palët, konsiderohet si një pjesë përbërëse e kontratës kolektive të nënshkruar midis dy palëve me datë 31.01.2010 dhe depozitohet sipas ligjit nga punëdhënësi në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale e Shanseve të Barabarta Ky projekt nuk pranohet nga ana e ACR-së, madje dy janë pikat e debatueshme, largimi i drejtorit Zogu dhe pagesa e minatorëve për ditët e protestës dhe grevës së urisë. Palët nuk lëshojnë, ndërkohë 700 minatorët nuk paguhen prej tre muajsh, por as kompania ACR prej kaq kohësh nuk merr fitimet e veta në minierën e kromit Bulqizë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›