E Diel, 1 Nëntor 2026

Përgjimet, shefi i policisë britanike jep dorëheqjen

Në një deklaratë surprizë të bërë para medieve, dhe në transmetim direkt në televizion, numri një i policisë britanike, Paul Stephenson tha se largohet nga posti që mban, pas dyshimeve se kishte lidhje me zëvendëskryeredaktorin e “News of the World”, Neil Wallis, që është arrestuar për përgjime të paligjshme.
Stephenson dyshohet se ka pranuar një “bakshish” të majm që përkthehet në qëndrim 5 javë në një hotel luksoz me 5 yje, për shërbime ekstra.

"E kam marrë këtë vendim si pasojë e spekulimeve dhe akuzave që po vazhdojnë ndaj 'Metropolitan Police', për lidhjet me ‘News International’ “ tha Stephenson sipas DW-së.

Më parë, ish drejtoresha e kompanisë nën rrebesh, Rebekah Brooks u lirua me kusht, një ditë pasi ishte arrestuar për akuzën e korrupsionit gjatë kohës kur drejtonte “News International”, “armën” gazetareske të manjatit mediatik Rupert Murdoch.

Brooks është bërë objekti i mërisë së njerëzve, pas zbulimit të përgjimeve që sollën mbylljen e revistës së përjavshme, “News of the World”.

Kryeministri britanik nën trysni

Kryeministri britanik David Kameron e quajti dorëheqjen e Stephenson, si një “rast shumë të trishtueshëm" duke shtuar se i uronte ish shefit të policisë, më të mirën për të ardhmen. Kameron është vënë nën presion politik të vazhdueshëm, pas lidhjeve të tij personale me ish kryeredaktorin e “News of the World”, Andy Coulson, që është gjithashtu në pranga. Coulson ka shërbyer si shefi i Zyrës së Shtypit për kryeministrin, pas largimit nga gazeta në 2007, si pasojë e një skandali përgjimesh, që çoi në burgosjen e një gazetari.

Akoma nuk ka mbaruar

Të dielën, manjati mediatik Rupert Murdoch u përball me thirrjet për të shpërbërë perandorinë mediatike në Britani, megjithëse ka kërkuar një falje të dytë publike, mbi skandalin e përgjimeve.

Lideri i Laburistëve, Ed Miliband ka kërkuar ligje të reja mbi pronësinë e koorporatave, në vazhdën e këtij skandali. Miliband tha për gazetën “The Observer” se politikanët britanikë duhet të shohin “me shumë vëmendje“, mënyrën sesi Murdoch ishte i aftë që të dominonte më shumë se 20% të tregut të gazetave, si dhe një numër të madh aksionesh në platformën satelitore./Start/

                                                                                             2011-07-18 12:08
   

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›