E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rama pengesë për reformat, 8 maji antireferendum

Kreu i qeverisë tha se një sërë ligjesh dhe reformash nuk u miratuan për shkak të qëndrimit të opozitës, duke akuzuar këtu kryetarin socialist, Edi Rama.

“Disa reforma ngecën për shkak të vendimit të z. Rama për të përdorur pushtetin që sovrani i ka dhënë me votën e lirë për të votuar dhe jo për të bllokuar”, theksoi Berisha, duke përmendur këtu mos miratimin e ligjit për Gjykatën Administrative apo ligjin për Kodin Ajror, megjithëse siç theksoi, asnjëra prej tyre nuk është partiake.

Berisha foli edhe për letrën drejtuar opozitës për bashkëpunim nga ana e Patozit, letër e cila nuk ka marrë përgjigje nga ana e socialistëve. “Pesë ditë më parë, z. Patozi iu drejtua me një letër z. Ruçi, që të nisë puna për të dërguar sinjale pozitive, për rekomandimet. Përgjigja ishte se kemi të bëjmë me një qeveri fashiste, orientale dhe ky ishte termi i fundit i një fjalori që i ka mërzitur kaq shumë veshët e shqiptarëve”, shtoi kryeministri.

Ai tha se mazhoranca mbetet e hapur për bashkëpunim. “Ne besojmë se çdo forcë politike ka të drejtë të zgjedhë qëndrimet e tij. 8 majit u ftua nga ana e tij si një referendum kundër qeverisë, por rezultoi e kundërta, me një mbështetje plebishitare për qeverinë”, vijoi ai.

Në fjalën e tij, Berisha përmendi procesin e liberalizimit të vizave, asfaltimin e mijëra kilometrave rrugë, duke theksuar këtu korridorin Tiranë-Elbasan, si dhe tre autostrada dhe superstrada në jug të vendit që pritet të përfundojnë së shpejti. /S.Lleshi/Start/

                                                                                             2011-07-18 13:30
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›